Prej muajsh ka qenë një prej çështjeve më të nxehta ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Fakti që ekziston një Kombëtare brenda kufijëve zyrtarë dhe një përfaqësuese e “Dardanëve” ka nxitur edhe një lloj rivaliteti, përsa i takon përfaqësimit të lojtarëve. Ylli i radhës, të cilin të dyja skuadrat dëshironin ta kishin në kontingjent, është Ardian Ismajli.
Ish-kapiteni i 21-vjeçarëve të Kosovës është pajisur me pasaportën shqiptare, pas dekretit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, një indicie se ai është gati të vishet kuqezi. Mbrojtësi i Hajdukur të Splitit pritet ti bashkohet Shqipërisë, për ndeshjen e fundit në Ligën e Kombeve me Skocinë (më 17 nëntor) dhe për miqësoren e 20 nëntorit me Uellsin. Tashmë që procedura për pasaportën ka përfunduar, trajneri Kristian Panuçi pritet ta grumbullojë lojtarin në skuadër.
Shqipëria është interesuar për 22-vjeçarin Ismajli prej muajit prill 2018, por vetëm pak javë më pas lojtari i ri u takua me ish-presidentin e Federatës së Kosovës, të ndjerin Fadil Vokrri dhe në muajin maj u krijua ideja se ai do të luante për Kosovës. Por, pas paraqitjes së shkurtër nën urdhërat e trajnerit Shaland në shtator, ai u kthye në përfaqësuesen e 21-vjeçarëve, ndërsa pas ndeshjes së fundit me të luajtur si kapiten me moshat në tetorin e kaluar, mbrojtësi nuk ndihet i rëndësishëm për ekipin “A”.
Kjo situatë duket se ia lehtësoi zgjedhjen. Ismajli pritet të bëhet futbollisti i dytë, në harkun e një muaji, që largohet nga Kosova për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi, pas Kastriot Dermakut. Me pasaportën shqiptare në dorë, mbrojtësi i Hajdukut pret ftesën e Panuçit, për të qenë një alternativë e vlefshme në qendër të mbrojtjes, aty ku Mavraj, Ajeti dhe Gjimshiti kanë patur mjaft probleme me aktivizimin dhe formën sportive.