Janë luajtur 16 javë kampionat në Kategorinë Superiore dhe kampionati do të rinisë më 27 janar, me të gjitha klubet që do të kenë një muaj kohë për të mbushur “gropat” e shfaqura deri tani. Skënderbeu kryeson bindshëm, por mund të shesë të paktën një titullar dhe kërkon sulmues cilësor për të mos lënë vetëm Ali Souenë. Flamurtari është i dyti dhe është kompletuar që në dhjetor me 4 afrime. Kukësi e Partizani do të bëjnë shumë ndryshime, sepse kanë zhgënjyer deri tani, ndërsa Laçi do të shtojë ndonjë element cilësor për të luftuar për Europën.
Merkatoja do të zgjatë deri më 31 janar në mbrëmje, ja lëvizjet e kryera apo të planifikuara deri tani nga klubet e Superiores…
SKËNDERBEU: SULMUES ME URGJENCË
Martin Neshpor rezultoi një dështim në merkato dhe Ilir Daja nuk e llogarit më si pjesë të skuadrës. I takon klubit të gjejë marrëveshjen për prishjen e kontratës, ndërsa pasuesi mund të jetë Danilo Alvesh i Flamurtarit, i cili mund të lirohet me një pagesë jo të madhe dhe me dhënien përfundimtare të Ardit Hoxhajt. Skuadra është e kompletuar në rolet e tjera, por do të ketë lëvizje në dalje. Jashanica është lojtari që ka më shumë gjasa të largohet dhe vendin e tij në qendër do ta marrë Fidan Aliti, ndërsa Lulaj, Shkodra e Gripshi mund të largohen për shkak se nuk po luajnë rregullisht dhe sidomos Lulaj e Gripshi janë lojtarë të së ardhmes dhe duhet të luajnë patjetër. Laçi e Teuta mund të jenë destinacionet përkatëse.
AFRIME: –
LARGIME: Martin Neshpor (duhet prishur kontrata me marrëveshje), Donjet Shkodra (Kukësi)
OBJEKTIVA: Danilo Alvesh (Flamurtari)
FLAMURTARI: 4 PËRFORCIME, TANI VETËM LARGIME
Pas një pjese të parë sezonale thuajse perfekte, në Vlorë janë treguar shumë të shkathët në merkato, sepse trajneri Shpëtim Duro ka afruar që në dhjetor lojtarë mjaft cilësorë në letër. Muarem është lojtar i një niveli të lartë dhe përforcon mesfushën e sulmin, ashtu si Gafuri, ndërsa Zuka është një përforcim interesant në mbrojtje dhe Nedeljkoviç është sulmuesi që mund të kompletojë repartin e avancuar, ku Bushiç ka mbajtur një barrë të madhe deri tani. Memushaj e Aliji? Asgjë reale, nuk vijnë në Shqipëri. Natyrisht, tani vjen kola e largimeve, sepse Duro nuk dëshiron një skuadër me shumë lojtarë në stol e tribunë. Danilo Alvesh do të shitet, nëse vjen ndonjë ofertë, sepse hyn në 6 muajt e fundit të kontratës dhe ka pagë tepër të lartë. Ikën edhe Ivan Jakovljeviç, mbrojtësi me pasaportë kosovare, i cili merr mbi 4000 euro në muaj dhe sapo i ka përfunduar kontrata. Haxhi Neziraj është i panevojshëm dhe klubi duhet të gjejë mënyrën për të prishur kontratën, ndërsa Ergis Mersini është i lirë të gjejë ekip të ri, për të luajtur rregullisht, pasi në Vlorë ka shumë lojtarë në të majtë dhe Musta është titullari.
AFRIME: Muarem Muarem (Aktobe), Fisnik Zuka (Shkupi), Igor Nedeljkoviç (Pegasus, Hong Kong), Argjent Gafuri (Renova)
LARGIME: Jakovljeviç
OBJEKTIVA: –
LAÇI: SHTUBINA I PARI, PRITET EDHE NJË MBROJTËS
Gjithçka perfekte te Laçi, trajneri Mezani ka bërë punë të shkëlqyer, skuadra me djem të rinj funksionon dhe nuk nevojitet ndonjë revolucion në janar. Është arritur marrëveshja me Ndriçim Shtubinën, i cili tashmë është futbollisti më i ri i Laçit, por pritet edhe përgjigja e Skënderbeut dhe vetë Bruno Lulajt, që mbrojtësi të kthehet në Laç. Ademir ka mbyllur kontratën, pas një dëmtimi të rëndë, por ka luajtur pak këtë sezon. Edhe sulmuesi Mbombo, i ardhur në fund të verës, është larguar me kohë, pa luajtur fare.
AFRIME: Ndriçim Shtubina (Kukësi)
LARGIME: Ademir, Mbombo
OBJEKTIVA: Bruno Lulaj (Skënderbeu)
KUKËSI: TRAJNER, AFRIME E LARGIME PA FUND
Një revolucion në horizont në Kukës. Iku Milinkoviç, brenda 2-3 ditësh zyrtarizohet trajneri i ri, që do të jetë i huaj. Janë larguar Alijev, Shtubina e Memini, po tentohet prishja e kontratës me Milosh Kërkotiç, mund të largohen edhe Alla e Imami, që i kërkon Vllaznia. Afrimet do të jenë më shumicë, i pari është Donjet Shkodra, por trajneri Pakult pret disa të tjerë.
AFRIME: Peter Pakult, trajner, Donjet Shkodra (Skënderbeu)
LARGIME: Rauf Alijev, Ndriçim Shtubina, Rexhep Memini, Hair Zeqiri, Mlladen Milinkoviç
OBJEKTIVA: Ardit Krymi (Vllaznia)
PARTIZANI: STAROVA QËNDRON, PRITEN SHUMË AFRIME
Ashtu si Kukësi, edhe Partizani ka nevojë për ndryshime madhore, por të paktën jo në stol, sepse Sulejman Starova është konfirmuar, edhe pse ditët e fundit pati shumë debate brenda klubit. Pas “fshesës” ndaj lojtarëve të ardhur nga Italia në verë, apo largimit të Sukajt, tashmë mund të ikin edhe Kotobelli, Krasniqi, Adorjan e disa të tjerë. Është arritur marrëveshja me mbrojtësin e Kamzës Ivan Fushtar, është prezantuar Bruno Telushi dhe priten edhe shumë përforcime deri në fund të janarit, me sytë kryesisht nga sulmi.
AFRIME: Lukas (Pelister), Bruno Telushi (Slaven Belupo), Ivan Fushtar? (Kamza), Esat Mala (KF Ballkani)
LARGIME: Xhevahir Sukaj, Andrea Selvaxho, Erik Herrera, Xhovani La Kamera
OBJEKTIVA: Erjon Hoxhallari (Tirana), Eraldo Çinari, Ardit Krymi (Vllaznia)
KAMZA: NËSE LARGOHET FUSHTAR, MBROJTJA PËRFORCIME URGJENTE
Kamza u paraqit shkëlqyeshëm në pjesën e parë të sezonit, por duhet të operojë në merkato, për shkak të stolit aspak cilësor, ndërkohë që tashmë duhet të zëvendësojë Ivan Fushtar, me kroatin që është praktikisht i Partizanit, edhe pse Kamza po reziston. Kërkohet mbrojtës i majtë, sepse iku edhe Neziri, me Kotobellin e Mersinin që janë dy opsione serioze, ndërsa në mesfushë është e kryer marrëveshja me Hair Zeqirin. Në portë është afruar Avdyli nga Shkëndija.
AFRIME: Ilir Avdyli (Shkëndija)
LARGIME: Mërgim Neziri, Argjend Mustafa, Ivan Fushtar?
OBJEKTIVA: Blerim Kotobelli (Partizani), Ergis Mersini (Flamurtari)
LUFTËTARI: YJET NUK LARGOHEN, MBROJTJA NË FOKUS
Muaji dhjetor ishte i artë për Luftërarin, që arriti tre fitore të mëdha në kampionat dhe ndryshoi totalisht sezonin, duke u ngjitur ndjeshëm në renditje. Fitorja më e madhe është lajmi se Dejvi Bregu e me shumë gjasa edhe Kristal Abazaj e Eduart Rroca do të qëndrojnë deri në verë. Sulmuesi Vasil Shkurtaj kompleton sulmin, tashmë duhen përforcime urgjente në mbrojtje, ku Liçaj është i kryer dhe Mersini shumë pranë. Është afruar edhe mesfushori anësor Jugersi Liçkollari nga Pogradeci, lojtar mjaft premtues.
AFRIME: Lejdi Liçaj (Flamurtari), Jugersi Liçkollari (Pogradeci)
LARGIME: Silvio Zogaj
OBJEKTIVA: Ergis Mersini (Flamurtari)
TEUTA: NICA DHE REVOLUCION
Teuta ishte një nga zhgënjimet e pjesës së parë të sezonit dhe Gugash Magani është lagruar, duke u pasuar nga Stavri Nica, i cili kthehet pas një periudhe të gjatë në stolin durrsak. Në janar skuadra do të pësojë ndryshime të mëdha, ka ikur kapiteni Nijas Lena dhe do të pasohet nga shumë të tjerë. Synohet Gripshi nga Skënderbeu, priten përforcime sidomos në sulm.
AFRIME: –
LARGIME: Nijas Lena, Abe Oluasina
OBJEKTIVA: Nazmi Gripshi (Skënderbeu)
VLLAZNIA: SUKAJ DHE NJË SULMUES TJETËR, MBROJTJA DO TË RIBËHET
Vllaznia dështoi në pjesën e parë të sezonit dhe tashmë trajneri Ernest Gjoka ka marrë garancinë financiare për të operuar fuqishëm në merkato. Priten 2 qendërmbrojtës, me Cicmil, Allën e Krasniqin që janë ndër emrat e piketuar, përveç emrave të huaj, ndërsa në sulm është afruar Sukaj dhe pritet edhe një lojtar nga Ballkani. Mesfusha do të pësojë ndryshime gjithashtu, sepse pas largimit të Edon Hasanit mund të ketë largime të tjera, për të afruar ndonjë lojtar, me Gjokën që pëlqen mesfushorin Zhan Karioka, të cilin e ka pasur sezonin e shkuar në Kukës dhe mund ta përdorë në qendër ose në të djathtë.
AFRIME: Xhevahir Sukaj (Partizani)
LARGIME: Edon Hasani
OBJEKTIVA: Stefan Cicmil, Albi Alla, Gëzim Krasniqi, Eni Imami
LUSHNJA: NDRYSHIME, POR NUK KA LOJTARË
E fundit, me buxhet të vogël dhe pak shanse për mbijetesë. Lushnjës i duhet një mrekulli në merkato, por nuk ka lojtarë të lirë në treg, me pagat që ofron Lushnja. Janë provuar disa lojtarë nga ligat e ulta suedeze, por edhe ata kërkonin shumë. Në provë janë shumë lojtarë, por realisht asnjë emër i rëndësishëm.
AFRIME: –
LARGIME: –
OBJEKTIVA: –