Partizani mbaroi minifazën përgatitore në Elbasan dhe do të rikthehet në Tiranë. Ekipi i kuq do të rinisë përgatitjet nga kompleksi sportiv në Pezë. “Demat” do të hapin kampionatin e Superiores, pasi do të luajnë më datë 17 gusht, kundër Skënderbeut, në stadiumin e Korçës.
Ka mbetur më pak se një javë nga takimi mes palëve, por trajneri Skënder Gega synon të përforcojë ekipin dhe në dy reparte. Ai shpreson që klubi t’i sjellë një mesfushor organizator që të luajë topin. Në këtë pikë, sytë janë nga Luçiano Moxhi. Ky i fundit u ka premtuar të kuqve huazime nga Juventusi. Valon Ahmedi është një emër tjetër, por i shtrenjtë për të kuqtë, pasi operacioni i tij mund të kapë shifrën e 100 mijë eurove (rrogë + karton).
Numri një i stolit ka besim se skuadra e tij është e fortë, por nga krahu tjetër kërkon dhe afrimin e një sulmuesi mbështetës për Rubin Hebajn. Synohet një lojtar me eksperiencë, i lirë dhe që mund të ndihmojë skuadrën në fund të ndeshjeve.