Java e dytë e “Abissnet Superiore“-s është mbyllur me takimin Partizani-Laçi. Ndeshja, e cila u zhvillua në kryeqytet, përfundoi me rezultatin 1-0 në favor të kampionëve në fuqi. Një fitore e arritur me vështirësi për “demat e kuq”, të cilët e gjetën rrugën e rrjetës në minutën e 92-të me anë të Magetit. Pas përfundimit të sfidës, trajnerët përkatës kanë dhënë përshtypjet e tyre të para për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Bejzade (Laçi): “Sa për ekipin, jam shumë i kënaqur për lojën që zhvilluan djemtë. Është një ekip relativisht shumë i ri në moshë. Meritonim sot një pikë. Duke parë rastet e humbura, mendoj që një pikë do të ndihmonte shumë në moralin e lojtarëve. Kur pëson gol në minutë të fundit, sigurisht që të vjen keq. Dëgjoj analiza që luajtëm 20 minuta mirë, por nuk ka në futboll luajtëm 20 minuta mirë. Ka 90 minuta. Objektivi jonë është që të fitojmë çdo ndeshje. Se ku dalim pastaj, është punë tjetër. Por kur shohim kundërshtarët tonë, nuk janë Tirana apo Partizani, sepse kanë investuar shumë. Por duhet të jemi pas tyre”.
Zekiç (Partizani): “Falë Zotit që fituam në fund. Por Laçi në pjesën e parë ishte më mirë se Partizani. Ishim të zgjatur si ekip dhe nuk ishim kompakt. Pas 15 minutave e kuptova se duheshin bërë ndryshime. Por ndoshta është pak aspekti psikologjik i ditës së enjte që ndikoi te lojtarët sot. Ndoshta disa lojtarë mendojnë se mund të fitojnë lehtë, por e pamë që nuk ka fitore të lehta. Nëse Laçi do të shënonte sot një gol, do të ishte shumë e vështirë ta kthenim ndeshjen. Është mrekulli që nuk humbëm sot. Largimi i Carës ishte lëvizje taktike. Nuk jam i kënaqur nga loja e tij, si me top, si pa top. Shpresoj që të jetë hera e fundit që skuadra ime luan në këtë mënyrë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/