Alan Miljaço, i cili është menaxheri i Zinedin Zidan, ka folur për të ardhmen e trajnerit francez në një prononcim për “Journal du Dimanche”. Fjalë që “qetësojnë” Zhoze Murinjon, i cili rrezikon postin e tij në pankinën e Mançester Junajtid. Miljaço zbulon faktin që Premier Liga nuk është në preferencat dhe stilin e Zidan, ndërkohë që nuk përjashton një të ardhme në stolin e Juventusit. Francezi ka kaluar pesë sezone fantastike në Torino si futbollist dhe e tundon ideja për t’u rikthyer te Juventus.
“Zidan është gatuar në këtë formë, kur e di se diçka nuk mund të bëhet, nuk thotë të kundërtën. Nëse ka zgjedhur të marrë rrijë një vit pushim, do e mbajë fjalën. Nuk mendoj se do të trajnojë në Angli, nuk është në stilin e tij. Kam biseduar me të dhe i mbetet idesë së tij.”
“Juventus? Zidan ka një histori si juventin dhe mund të funksionojë dhe në të ardhmen. Juventus ka një projekt të bukur, edhe pse nuk bëhet fjalë për klubin më të madh në Europë”, përfundon menaxheri i Zinedin Zidan.