Edhe pse vëmendja ka qenë e madhe nga ana e medieve, si trajneri i Partizanit ashtu dhe ai i Tiranës, janë kujdesur që ta “fshehin” formacionin. Gati çdo ditë stafet teknike kanë provuar module të ndryshme loje, por dhe kanë bërë disa herë zëvendësime, duke e bërë të vështirë që të përcaktohet se kush do të zbresë nga minuta e parë në fushë.
Te Partizani, kapiteni Alban Hoxha nuk do të jetë, të paktën kështu ka pohuar tekniku Skënder Gega, duke e justifikuar me arsyetimin se “gardiani” ka pak stërvitje. Nuk mund të thuhet me bindje të plotë se nuk mund të jetë, pasi në futboll dihet që ka dhe ndonjë “hile” të vogël, por gjasat janë që titullar ta nisë Xhika. Mala ka shqetësuar disi stafin teknik, por “heroi” i derbit të shkuar pritet që ta nisë si titullar edhe këtë takim.
Në anën tjetër, teknik Ardian Mema ka pasur luksin që të kishte një skuadër të plotë para takimin me ”demat”. Me rikthimin e Blazhevskit dhe Ngos, dilemat në sulm janë jo të vogla. Maqedonasi është shënuesi më i mirë i skuadrës bardheblu, por sot do ta nisë nga stoli, pasi titullar do të jetë Halili.
KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 15
E premte, më 30 nëntor, ora 18:00
Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë
PARTIZANI – TIRANA
Partizani (formacioni i mundshëm): Xhika, Ibrahimi, Belica, Atanda, Trashi, Hila, Telushi, Asani, Mensah, Mala, Bardhi. Trajner: Skënder Gega.
Tirana (formacioni i mundshëm): Abibi, Imami, Hoxhallari, Atinga ,Doka, Maveje, Karabeci, Daja, Hasani, Halili, Sentamu. Trajner: Ardian Mema.
Gjyqtarë: Eldorian Hamitaj, Denis Rexha, Ridiger Çokaj, Dojando Myftari. Gjyqtarë linje: Klajdi Kola, Juxhin Xhaja.
Delegat: Lysien Nurishmi.