Mema: Europa? Nuk është momenti ta mendojmë, tifozët të mos kapen me individë

Trajner i Tiranës, Ardian Mema ka folur para gazetarëve në daljen për shtyp që i paraprin takimit të nesërm, ku bardheblutë presin Kukësin në Selman Stërmasi. Tekniku i kryeqytetasve foli mbi problemet e skuadrës së tij, gjykimin dhe marrëdhënien me tifozët.

REZULTATET – “Skuadra ka luajtur mirë në tri takimet e fundit dhe kemi pasur mundësi të fitojmë ndeshjen. Por, unë mendoj se lojtarët janë të rënduar nga ana psikologjike dhe kjo bën që lojtarët të jenë pak të ngurtë para porte. Kam folur me ta për këtë aspekt dhe i kam kërkuar që ta harrojnë se çfarë ka ndodhur e të jenë të përqendruar në rastet që krijojmë”.

PËSIMI I GOLAVE – “Kjo është një temë që është diskutuar në analizat pas përfundimit të ndeshjes. Lojtarët i kap paniku, kemi shënuar të parët në dy takime e fundit dhe s’kemi arritur të ruajmë qetësinë. Ndoshta kjo vjen si pasojë e gjendjes psikologjike të skuadrës. Kemi defekte në goditjet standarde. Në ndeshjen ndaj Teutës vepruam gabim në goditjen e dënimit. Megjithatë goli ka qenë faull nga sulmuesi i Teutës Latif dhe gjyqtari mbas porte duhet ta kishte parë atë. Normalisht s’mund të merrem vetëm me goditjet e arbitrit. Kemi dy ndeshje që pësojmë gol nga goditjet standarde, dhe kjo ka qenë tema e diskutimit  në analizën e ndeshjesh”.

KËRKESA PËR ABITËR TË FIFA-s – “Nuk kemi si pranojmë arbitra që na ndëshkojnë, siç ndodhi në ndeshjen ndaj Kamzës e Teutës. Megjithatë kjo nuk është një justifikim për mua dhe skuadrën. Në Shqipëri bëjmë gabim që merremi shumë me arbitrat siç po bëj unë tani, por është e vërtetë që arbitri ka në dorë fatin e ndeshjes. Presidenti dhe drejtuesit e tjerë e kanë gjykuar se do ishte më mirë që të jetë një arbitër i huaj dhe unë jam do isha dakord me këtë”.

PIKËT – “Me rastet që kemi krijuar, minimalisht duhet të kishim 7 pikë. Në Vlorë meritonim një barazim, ndërsa në dy ndeshjet e tjera duhet të kishim fituar. Renditja në klasifikim është shumë e dobët. Ekipi dhe unë duhet të gjejmë forcë dhe motivim për të vazhduar më tej”

DIFERENCA E MADHE – “Kur kam pranuar këtë detyrë kam qenë me këmbë në tokë. E di se objektivi i Tiranës ka qenë pjesëmarrja në kupat e Europës. Momentalisht më duhet të them se kjo pjesë është disi e mbyllur, pasi duhet të largohemi nga zona e ftohtë dhe më pas të shohim se si do të rrjedhin ngjarjet”.

TIRANA PËR MBIJETESË ? – “Secili ka mendimin e tij.  Loja e skuadrës ndaj ekipeve të pjesës së sipërme të tabelës si Flamurtari dhe Teuta ka qenë shumë mirë, kundërshtarët nuk ishin më lart se ne. Natyrisht rezultatet e dobëta i sjellin këto shqetësime”.

PENDESË ?  – “E kam marrë me vetëdije vendimin për të ardhur te Tirana.  Është diçka që nuk ka kthim pas. E dija shumë mirë se në çfarë gjendje ishte skuadra. Unë do të bëj punë time për ta çuar ekipin aty ku duhet”.

BESIMI TE GRUPI ? – “Më ngushëllon fakti se ekipi po përgjigjet, por nuk po shkojmë dot te goli. Në momentin kur ta zgjidhim këto ekipi do të vazhdojë ngjitjen për lart”

ÇËSHTJA NGO – “Ngo është pezulluar me një afat të pacaktuar. Për momentin ai po stërvitet me ekipin B dhe situata do të jetë e tillë deri në një vendim të dytë”

NDRYSHIME NDAJ KUKËSIT – “Këtë nuk mund ta bëj të ditur tani. Nesër do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Kukësi ka një lloj krize për shkak të rezultatit negativ, por është një skuadër shumë e forte dhe kjo dihet. Shpresoj që të kemi fat”.

TIFOZËT – “Ka kohë që kjo është një çështje për klubi tonë. Do i bëja një thirrje tifozëve. Ata nuk duhet të kapen me individë, ata mbi të gjitha duhet të duan Tiranën. Kjo është motoja që duhet të na udhëheqë. Kjo është dhe arsyeja pse kam ardhur këtu, kam qenë pjesë e këtij klubi dhe e di se funksionojnë gjërat. Tifozët e Tiranës janë të ndjeshëm dhe në momentin që ekipi do të ketë rezultate ata do të jenë të shumtë në numër. Shpresoj që të kthehen”.

DËMTIMET – “Blazhevski dhe Kërçiku nuk do të jenë nesër. Jam në kontakt të vazhdueshëm me fizioterapistët dhe mjekët shpresoj të na kthehen sa më shpejt. Momentalisht kemi pak lojtarë në stërvitje dhe duhet të gjejmë një zgjidhje për këtë”.

STAFI NDIHMËS – “Unë kam marrë një përgatitor atletik. Mbas ndeshjes ndaj Kukësit do vijë dhe asistenti im. Tani këtë pozicion e mbulon Egboja. Klubi më ka kërkuar një emër. Kam dashur të marr një asistent nga jashtë, por ai punon diku dhe më duhet të shoh për një alternativë nga Shqipëria”,

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *