Përpara 693 ditëve të shkëputjes nga MMA, MekGregor ishte kampion i dy brezave në UFC. Gjatë kësaj periudhe, luftëtari irlandez dueloi në një prej ndeshjeve më fitimprurëse në historinë e boksit, ku u mposht në raundin e dhjetë nga kampioni i pamposhtur Floid Mejuedhër. Ishte 26 gushti i vitit 2017, një duel që i kushtoi MekGregor heqjen e titujve në disiplinën e Arteve Marciale Mikse, të cilët nuk i mbronte prej vitit 2016.
Vendimi u morr më 7 prillin e kaluar, për shkak të mungesës në aktivitet, por edhe sepse theu kodin, duke dueluar në një disiplinë tjetër. Si mënyrë ngushëllimi, MekGregor përfitoi rreth 114 milionë euro nga sfida e boksit me Mejuedhër, përballje e cila përveçse e pasuroi, e bëri edhe të njohur për publikun në të gjithë botën. Tashmë, “irlandezi i çmendur” kërkon të rikuperojë titullin e peshave të lehta në MMA, i cili i kaloi Khabib Nurmagomedov në fillim të këtij viti.
Rusi, i cili do të bëhet rivali i parë i irlandezit prej nëntorit të vitit 2016, i ka fituar të 26 duelet e zhvilluara, tetë prej të cilave janë mbyllur me “knock out” teknik, ndërsa në tetë raste të tjera, rivalët janë dorëzuar. Nga rikthimi në MMA, ku do të synojë të rimarrë titujt që i përkisnin, MekGregor pritet të përfitojë rreth 57 milionë euro. Sfida që do të zhvillohet në orën 4 të mëngjesit shqiptare, natën mes të shtunës dhe së dielës, është cilësuar edhe si dueli më i madh në historinë e kësaj disipline.
Për të treguar se nuk është aspak i shqetësuar nga rivali i tij, MekGregor ka vendosur, që gjatë duelit, pranë kafazit të jetë edhe djali i tij 1-vjeçar, Konor Zhunjor. Gjithçka, pasi vogëlushi tërhoqi vëmendjen e mediave dhe të tifozëve, në momentin kur kampioni i padiskutueshëm u paraqit në Las Vegas përpara duelit. Irlandezi është gati për të fituar dhe këtë synon ta bëjë përpara syve të djalit të tij të vogël…