“Nga ëndrra në makth”. Ky ishte titulli i gazetës argjentinase “Olè” në versionin online, pas eliminimit të “albiçelestëve” nga Botërori në Rusi, me Francën që u kualifikua falë paraqitjes së jashtëzakonshme të Mbape.
Për gazetat e vendit latin, imazhi i disfatës nuk është vetëm Lionel Mesi. “Franca kthen Argjentinën në shtëpi”, titulli i “Clarin”, me të përditshmen që theksonte se “‘Selesion’ provoi të qëndronte në ndeshje deri në fund, por historia ishte shkruar”.
Mes të akuzuarve mbetet gjithmonë Sampaoli, me argumentin se “nënta false në fushë është mëkati i fundit i trajnerit”, por kritikat nuk munguan as për Mesin, me “Clarin” që flet për “një tjetër disfatë të lojtarit më të mirë në botë” dhe akuzon se “Leo as që nuk u duk në këtë Botëror”.
I drejtë për drejtë titulli i “La Nacion”: “Argjentina humbet kundër Francës dhe eliminohet në Botërorin më të dobët prej vitit 2002”. E njëjta gazetë bëri listën e zhgënjimeve të “albiçelestëve” duke i cilësuar “25 vjet zhgënjime”.