Një atlete 16-vjeçare është bërë objekt humori në rrjetet sociale, përfshirë një atlet spanjoll, për shkak se në fytyrë duket shumë më e madhe se mosha e deklaruar.
Girmawit Gebrzihair fitoi medaljen e bronzit në garën e 5000 metrave në Botërorin Under-20, që po zhvillohet në Tampere të Finlandës.
Megjithatë, ngjitja e saj në podium ndezi uebin, me komentuesit që ngritën dyshime mbi moshën e sportistes, e regjistruar me datëlindje 21 nëntor 2001.
Gjithsesi, askush nuk ofroi ndonjë provë që datëlindja e saj ishte e pasaktë.
Një sportist spanjoll, sprintieri Oskar Husijos, bëri shaka në Twitter: “Fëmijët dhe nipërit e mbesat e saj ishin në tribunë”, postim që në fakt krijoi debat të madh dhe pati nga ata që e kritikuan spanjollin për mungesë respekti dhe edukate.
Gjithsesi, shumica e komenteve në ueb kanë qenë plot ironi e humor: “16 vjeç? Kjo ka jetuar në kohën e Luftës Civile Amerikane, dy Luftërat Botërore dhe pa edhe Brazilin kampion bote në 1970”.
Dikush shkruante: “Kjo është kushërira e Benjamin Button”, duke iu referuar filmit të famshëm me Brad Pitt.
Në të vërtetë, verifikimi i moshës së sportistëve është një problem i përjetshëm për të gjitha sportet dhe nuk është hera e parë që ka debate të tilla.