Me zemrën e Xhakës e vizionin e Modric: Dejvid Janaqi, talenti që nisi gjithçka nga rrugët e Greqisë

Gjithçka nisi në lagje, sikur u ka ndodhur shumë talenteve, dhe tani Dejvid Janaqi mendon si profesionist. Mesfushori, pjesë e Shqipërisë U-19, synon shumë në të ardhmen dhe shembujt e tij i ka piketuar që tani, çka e shpreh haptazi edhe në rubrikën “Talenti shqiptar” në fshf.org. Dejvid, i cili në verë mbush 19 vjeç, është pjesë e Apollon Smyrnis në Greqi.

Fanellën kuqezi për herë të parë e ka veshur me Shqipërinë U-17 dhe ai synon t’i ngjitë të gjitha shkallët dhe të realizojë një tjetër ëndërr. Janaqi rrëfen gjithçka, nga hapat e parë, emocionet e mëdha që ka përjetuar me fanellën e Shqipërisë, apo edhe golin që nuk e harron lehtë.

– Dejvid, si ka nisur për ju lidhja me futbollin? Kush është njeriu që ju ka shtyrë drejt këtij sporti?

– Gjithçka ka nisur në lagje, këtu në Greqi, duke luajtur me shokët. Njeriu  që më ka ndjekur nga fillimi deri tani është babai im. Ai më futi në botën e futbollit.

– Kush është personi që ju këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe që ju qëndron më afër?

– Sigurisht gjithë familja më mbështet, më jep udhëzime, më ndihmon në momentet e mira dhe të këqija që kaloj në rrugën e futbollit. Besoj pak më shumë më qëndron pranë babai, me të cilin e kemi nisur bashkë këtë rrugëtim. Edhe atij i pëlqen shumë futbolli dhe jemi më të afërt.

– Si jeni ndjerë kur morët për herë të parë ftesën nga Shqipëria U19? Çfarë kujtoni nga grumbullimi dhe ndeshja debutuese?

– Besoj se për çdo fëmijë është një ëndërr e madhe të veshë fanellën e kombëtares, nga moshat deri te kombëtarja A. Edhe për mua ishte një nder, një ëndërr e realizuar. Ishte kënaqësia e madhe kur u grumbullova për herë të parë. Kur e mësova që më kishte ftuar kombëtarja u gëzova shumë. Debutimi pastaj ishte fantastik. Më rrëqethet mishi kur e kujtoj këndimin e himnit bashkë si skuadër. Është një nga gjërat më të bukura që mund të ndodhë në karrierën futbollistike.

– Çfarë mund të veçoni deri më tani nga jeta juaj futbollistike? Ka një arritje për të cilën jeni krenar?

– Jam krenar që jam pjesë e kombëtares, që kalova nga mosha U-17 tek U-19. Tani jam i fokusuar tek U21, kam si qëllim të bëhem pjesë e Shqipërisë U-21 dhe besoj se do t’ia arrij me shumë punë e sakrificë. Pastaj qëllimi më i madh është kombëtarja A.

– Sa i rëndësishëm është goli për ju? Ka ndonjë gol që nuk e harroni?

– Pavarësisht se pozicioni im real është mesfushor, besoj se për çdo lojtar goli është diçka e rëndësishme, që të jep motivim. Një nga golat që nuk e harroj është kundër Kosovës në “Elbasan Arena”, një gol që për mua ishte i veçantë, jo për bukuri, por sepse ishte i pari për mua me fanellën kuqezi.

– Kush është lojtari shqiptar që ju motivon më së shumti, që e keni si shembull? Po lojtari i huaj?

– Lojtari shqiptar që më motivon dhe e kam si shembull është Granit Xhaka. Është një lojtar fantastik, luftëtar, jep shpirtin brenda në fushë. Është diçka e bëj vetë edhe unë si lojtar. I huaji që po përpiqem të shkoj në gjurmët e tij është Luka Modric. Ai është një lojtar klasi, e ndjek që i vogël. Çdo gjë që bën në fushë mundohem ta kopjoj.

– Kohët e fundit po spikatin shumë sulmues shqiptarë, si Broja, Cikalleshi, Manaj, Uzuni e Vrioni. Sa ju motivon edhe ju kjo ecuri e sulmuesve shqiptarë?

– Jo vetëm nga sulmuesit shqiptarë, por nga çdo lojtar shqiptarë i çdo pozicioni duhet të motivohemi dhe të japim 100 për qind nga vetja, të punojmë akoma më shumë që të realizojmë ëndrrat tona.

– Vetë ju personalisht, cilin keni synimin më të madh në futboll? Ka një futbollist në gjurmët e të cilit do të donit të ecnit?

– Personalisht synoj të arrij majat e futbollit, të luaj në klubet më të mira në Europë, të luaj me kombëtaren A. Kjo është ëndërr e imja që e vogël. Normalisht dua të fitoj shumë trofe me kombëtaren dhe klubin ku do luaj. Jam synime që mund t’i bëj realitet. Siç thashë më përpara, dua të eci në gjurmët e Modric. Është një lojtar që ka fituar shumë trofe, ka fituar respektin e njerëzve jashtë fushë. Është lojtar për t’u ndjekur nga të gjitha anët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *