Shqipëria nuk ia ka dalë dot përballë Gjeorgjisë. Kuqezinjtë janë mposhtur në “Air Albania” me rezultatin minimal 0-1. Sfida ishte e barabartë, teksa një gol spektakolar nga distanca heshti stadiumin e mbushur me ngjyrat kuqezi. Këtë herë goditja perla nga jashtë zone nuk erdhi nga e majta e Asanit, por nga këmba e Kochorashvili-t. Pas përfundimit të ndeshjes, lojtarët dhe trajneri dhanë intervistat e tyre për emisionin “Kuq e Zi” në “SuperSport”.
Kumbulla: “Ndeshja ishte shumë e vështirë. E kishim përgatitur të tilla. Gjeorgjia luan shumë me kundërsulm. Ka dy sulmues shumë të shpejtë. Duhet të bënim një faull, nuk kemi pasur shumë faulla. Gjeorgjia është favorite e grupit. Më vjen keq për tifozët, sepse ishte një atmosferë shumë e bukur në stadium. Më ka munguar Kombëtarja për të luajtur. Jam i lumtur që kam luajtur në këto dy ndeshje, por vetëm për rezultatin nuk jam i lumtur. Për mua nuk ka diferencë nëse luaj me 3 mbrojtës apo me 4”.
Mitaj: “Në përgjithësi bëmë një ndeshje të mirë. Vrapuam më shumë. Kishim 2-3 raste. Por ata i shfrytëzuan më mirë. Loja e parë nuk është justifikim, sepse edhe ata kishin zhvilluar një ndeshje. Hapësirat në krahë i kishim më të shumta. Duhet ta kishim qarkulluar topin më shumë. Al Itihadi? Fola me menaxherin, pashë ekipet, pashë lojtarët dhe vendosa. Më thanë që do të kisha më shumë minuta, prandaj edhe shkova. Do të luaj më shumë se në Rusi”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/