“Më thonë edhe miqtë, je trajner i nënvlerësuar”! Flet Plori që eliminoi befasisht Partizanin nga Kupa

Të gjithë u habitën me atë eleminim të befasishëm të Partizanit nga Kupa e Shqipërisë, të cilët hyjë në lojë si favoritë në letër. Por fusha tregoi tjetër gjë dhe foli për Besëlidhjen, që e udhëhequr nga trajneri Elvis Plori tashmë e sheh veten në fazën tjetër të këtij kompeticioni, ku përballë do të ketë një tjetër klub nga kryeqyteti, Tiranën. Padyshim që meritat për këtë sukses shkojë për Plorin, i cili pas këtyre arritjeve me skuadrën lezhjane shihet edhe si i nënvlerësuar në punën e tij.

Një fakt të tillë e pohon edhe vetë shkodrani në një intervistë për “Fan Zone” në “Supersport”, teksa shprehet se edhe miqtë e tij i thonë shpesh se është një trajner i nënvlerësuar në Shqipëri. Megjithatë shton se beson në meritokraci dhe se do të vijë koha që puna e tij të shpërblehet në mënyrën e duhur.

Eliminuat Partizanin nga Kupa e Shqipërisë, a mendoni se ndërprerja do t’u ndihmojë t’ia dilni edhe ndaj Tiranës?
“Kjo ishte një situatë shumë e vështirë jo vetëm për ne, por për të gjithë njerëzit. Ndalesa ka ndikuar negativisht te Tirana, ashtu si edhe te ne, ndaj për një skuadër si Besëlidhja, është një moment më favorizues”.

Duket se jeni një trajner i nënvlerësuar. Pse nuk keni pasur shumë hapësira në Kategorinë Superiore?
“Edhe miqtë e mi më thonë këtë gjë, në fakt, jo vetëm ju. Të gjithë më sugjerojnë që të mos përqendrohem vetëm te puna në fushë, por të jem më aktiv në bisedat në tavolina, apo në rrjetet sociale. Gjithsesi unë mendoj se do të vijë dita e meritokracisë dhe puna në fushë do të shpërblehet edhe për mua”.

Presidenti yt ishte shumë entuziast edhe para ndeshjes me Partizanin…
“Është e vërtetë që ishte entuziast, pasi përveçse president, ai është edhe tifoz, ndaj duke parë punën e bërë në përgatitjet javore, kishte të drejtë të besonte shumë”.

Pse duhet të vijnë trajnerë të huaj në Shkodër, kur ka kaq shumë të tjerë vendas?
“Duke parë situatën e krijuar te Vllaznia dhe problemet e shumta në menaxhimin e klubit, shumë njerëz filluan të ndërhyjnë në çështje të skuadrës dhe u mendua të merrej një i huaj, që mund ta menaxhonte më mire”.

Më mirë nën menaxhimin e bashkisë apo të një presidenti?
“Unë jam i mendimit që çdo skuadër futbolli në Shqipëri, duhet të jetë me president, pasi bashkia ka shumë punë të tjera për t’u marrë. Madje edhe presidentët nuk duhet të fusin shumë hundët, por të lënë profesionistët që të drejtojnë gjërat”.

Cili do të jetë skenari ideal për Besëlidhjen, vazhdimi apo ndërprerja përfundimtare e kampionatit?
“Me ecurinë që kemi treguar gjatë këtij sezoni, skenari më i mirë do të ishte që kampionati të vazhdonte, por pasi të na lënë një farë kohe për t’u përgatitur. Unë nuk mund të gënjej dhe të them që jam i zoti të përgatis skuadrën për 10 ditë. Nuk është i favorshëm një rikthim i menjëhershëm në fushën e lojës, pasi vetëm kështu do të arrijmë të nxjerrim më të mirën nga lojtarët që kemi”.

A do të ketë Lezha një stadium të ri?
“Në fakt unë jam i mendimit që duhet investuar shumë në infrastrukturë, veçanërisht në kategorinë e Parë, ku shumica e klubeve kanë probleme me terrenet. Unë mendoj se bashkëpunimi me FSHF-në është i mirë dhe shpresoj që shumë shpejt të ketë një projekt konkret, për të ndërtuar një stadium të kohës”, ka thënë Elvis Plori./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *