“Më tha je kickboxer, po ja çfarë i bëra“, Marku kërkon majat: Nuk jam aq i kënaqur, por është fillimi i titujve të tjerë

Florian Marku nisi spekltaklin e boksit në stadiumin e Totenhemit. 28-vjeçari nga Lushnja siguroi titullin e tij të parë pasi mposhti Maxim Prodan-in me vendim të ndarë të gjyqtarëve. Boksieri shqiptar ka folur gjatë pas sfidës, teksa shprehet se ky është vetëm titulli i tij i parë dhe do të pasohet nga shumë të tjerë. Marku u kthehet edhe paragjykimeve, të cilat erdhën ndër të tjerë edhe nga Prodan, për faktin se vinte nga disiplina të tjera sportive. Por boksieri shqiptar e tregoi në ring se çfarë është i aftë të bëjë.

“Së pari dua të falënderoj Zotin. Nëse mendoni se ku isha 6 vjet më parë dhe ku jam tani, është e pabesueshme. Unë jam duke shkruar librin tim dhe në fund të këtij viti ai do të botohet në mënyrë që të shihni historitë e mia. Kam jetuar një jetë shumë të vështirë dhe të garosh në arena të tilla është e mrekullueshme! Ky është fillimi. Nuk jam i kënaqur vetëm me këtë. Ky është fillimi im.

Por tani e tutje, kontrata të mira, para të mira, do të vijnë. Faleminderit ekipit tim, faleminderit Zotit, falë trajnerit tim George Armagos dhe të gjithë atyre që më mbështesin dhe besojnë në mua. Prodan kishte probleme në gjetjen e ritmit dhe distancës kur lëvizja dhe kjo e bëri lojën më të lehtë për mua. Ne kishim planin tonë dhe ishte perfekt.

Unë i jap Prodanit një maksimum prej dy raundesh dhe asgjë më shumë. Unë mendoj se me kërcimin tim arrita ta kapërcej. Dhe jam i lumtur. Nuk janë të shumtë ata që me 10 ndeshje si unë ballafaqohen me kundërshtarë të tillë. Askush nuk më besoi. Ata thanë se ai ishte një kickboxer, ai është një luftëtar MMA dhe … shikoni se çfarë ndodhi. Ky është fillimi.

Nuk po them se jam boksieri më i mirë në botë, por jap zemrën dhe sakrifikoj jetën time për familjen time. Gruaja ime është shtatzënë dhe unë do të bëj gjithçka për t’u dhënë atyre jetën më të mirë. Arbitri që dha ndeshjen në favor të Prodanit me një ndryshim kaq të madh, vjen nga Italia si dhe kundërshtari im. E kuptova pak më parë, kjo është arsyeja pse ai i dha atij luftën. Është e pabesueshme t’i japësh ndeshjes 9-1, që kam humbur 8 raunde. Në asnjë rast. Kam humbur më së shumti dy raunde, më së shumti.

Por Maxim është një kundërshtar i ashpër, ai është i pamposhtur, ai erdhi për të fituar, unë nuk zgjedh kundërshtarët që vijnë për të humbur. Ajo që ndodh jashtë ringut është vetëm për shfaqje. Ai më tha se isha një kickboxer, një atlet MMA-je dhe shiko se çfarë i bëra atij. E godita në grushte, isha më mirë, ai nuk mund të më bënte asgjë. Por falë Zotit, ky është momenti im.

Unë nuk jam aq i kënaqur me paraqitjen time, mund të bëja shumë më mirë, por mendoj se fitova 8 raunde. Jam vërtet i lumtur. Ti nuk e njeh jetën time. Unë jam një emigrant shqiptar dhe falë Zotit erdha këtu në Angli dhe jeta ime filloi të ndryshojë. Britania më ka dhënë shumë mundësi dhe tani unë kam filluar të bëj ëndrrat e mia realitet. Nuk jam aq i kënaqur me këtë titull, por ky është fillimi i shumë titujve të tjerë. Ky është fillimi për mua, jo fundi”, ka deklaruar Florian Marku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *