“Më telefonoi Ibrahimoviç pas transferimit”, flet Astrit Selmani: Do të më kontaktojë edhe Shqipëria

Astrit Selmani është sulmuesi shqiptar më formë aktualisht teksa golat e shumtë me Varbergs, i krijuan mundësinë për t’u transferuar te Hammarby. Në këtë skuadër suedeze ka një pjesë të madhe të aksioneve edhe Zlatan Ibrahimoviç, që nuk ka ngurruar për ta telefonuar pas arritjes së marrëveshjes.

Ngrohtësia e madhe është ofruar edhe nga tifozët e Hammarby, pasi Selmani ka shkëlqyer në Suedi dhe pritshmëritë për të janë të jashtëzakonshme. I lindur në Suedi dhe me prindër shqiptarë, për këtë sulmues janë tre mundësi sa i përket përfaqësimit të Kombëtares në të ardhmen: “Suedi, Kosovë dhe Shqipëri”. Por cila do të jetë zgjedhja vendimtare? Në një intervistë të gjatë për mediat suedeze, Selmani e ka prekur edhe këtë temë.

“Tani Hamarby ka fituar 60 tifozë më tepër, ose edhe pak më shumë. Këta janë familjarët, të afërmit dhe miqtë e mi në Suedi, Kosovë, Gjermani dhe Austri. Deri tani kanë qenë te Varberg, ndërsa tani do të vijnë te Hammarby. Kam marrë shumë mbështetje nga tifozët, shumë dashuri, nuk e mendoja se do ta arrija kaq shpejt. Më ka marrë në telefon edhe Zlatan Ibrahimoviç, ishte një bisedë normale pasi kontrata ishte gati. Folëm pak së bashku dhe ai është pronar në klubin tonë. Me shumë mundësi kështu ndodh gjithmonë pasi ti je i ri dhe vjen te Hamarby.

Unë jam rritur në Malmo si Zlatan, është e qartë se ka qenë idhulli im kur isha i vogël. Dhe shikoni se çfarë po bën tani, po luan 39-vjeç në Seria A. Kombëtarja që do të zgjedh? Kam pasur disa kontakte së fundmi me Kosovën, ata më kanë kontaktuar. Por ishte shumë pak, nuk diskutuam shumë. Por të paktën e treguan interesin, të shohim se çfarë ka për të ndodhur. Shqipëria? Ende nuk më ka kontaktuar, por me shumë mundësi do ta bëjnë. Ndërsa nga Suedia nuk ka interes. Nuk mund të hamendësoj për Suedinë nëse nuk e kam një propozim në tavolinë. Jam i fokusuar tani te Hammarby dhe le t’ia lëmë kohës”, ka thënë Selmani. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *