Në serinë A janë zhvilluar 12 javë deri më tani. Në krye nuk ka surpriza, Juventusi kryeson prej vitesh, ndërsa ndiqen nga Napoli i Ançelotit me gjashtë pikë më pak. Më pas Interi, Lacio, Milani, Roma, Sasuolo, Atalanta dhe Fiorentina. Të gjitha luftojnë për një vend në Europë, shumëkush për Champions, ndërsa dikush mjaftohet dhe për Europa League.
“OptaPaolo”, që është faqja zyrtare e italiane Opta për të zbuluar statistika, të dhëna, kuriozitet dhe analiza për futbollin, ka publikuar formacionin më të mirë të këtyre javëve, ku dominojnë lojtarët e Juventusit. Katër bardhezinj, të ndjekur nga tre napolitanë, një milanist, një interist, një lojtar i Xhenoas dhe një i Parmës.
Mungon blerja më e madhe e viteve të fundit në Serie A, Kristiano Ronaldo, i cili ndodhet në kuotën e 8 golave në kampionat bashke me Imobilen e Lacios dhe një më pak se kryesuesi, Kristof Piatek.
Në portë është zgjedhur Sepe i Parmës. Juventusi dominon në mbrojtje me Bonuçin, Aleks Sandron dhe Kanselon nga krahët, ndërsa Kulibali i Napolit formomn qendrën e mbrojtjes me Bonuçin. Dy sllavë dhe një brazilian në mesfushë. Marselo Brozoviç, i vetmi interist, Miralem Pjaniç i Juves dhe Alan i Napolit. Milani përfaqësohet nga Suso në sulm, i cili formon repartin ofensiv me Mertens të Napolit dhe Kristof Piatek të Xhenoas, zbulimin e këtij sezoni.