Serxho Kalaj pak ditë më parë u bë blerja më e re e Frosinones, duke kaluar kështu nga Seria C në atë B. Mbrojtësi shqiptar shihet si një element me shumë perspektivë për të ardhmen dhe pse jo mund të kemi një pasardhës të denjë të Gjimshitit apo Kumbullës në vitet në vazhdim. Këtë shpresë e ka edhe Alban Bushi, trajneri i cili e pikasi për ta bërë pjesë të Shpresave disa vite më parë. Bushi ka dhënë një intervistë për “L’inchiestaquotidiano.it”, ku tregon në Itali për mbrojtësin që sapo ka firmosur për Frosinonen, që këtë sezon kërkon një biletër për në Serinë A.
“Më kujtohet shumë mirë momenti i zgjedhjes, sepse ishim të bindur për forcën e tij. Atij i mungonte eksperienca, pasi kishte luajtur pak atë sezon. Ajo që më shqetësoi më shumë, e pranoj, ishte mungesa e agresivitetit që ishte e dukshme gjatë stërvitjes. Përkushtimi i tij nuk ishte maksimal, pavarësisht se kishte aq shumë talent për të shprehur.
Ne gjithmonë përpiqemi të marrim informacion nga skautët tanë të pranishëm në vendin tuaj. Më besoni se u mahnita nga fakti që ai shkoi në Serinë B, por kjo tregon se sa shumë ka ndryshuar Serxho dhe ka bërë mirë në përvojën e tij të mëparshme ku shprehu potencialin e tij. Shpresa është që Shqipëria të mund të shtojë një tjetër mbrojtës të fortë në repartin e prapavijës pas Gjimshitit dhe Kumbullës”, ka thënë ndër të tjera Alban Bushi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/