Të hënën përballë Partizanit luhet një copëz titull. Një fjalë, të cilën edhe Orges Shehi nuk ka më “frikë” ta artikulojë, me trajnerin që kur pyetet për objektivat e Skënderbeut kujton gjithmonë historinë e viteve të fundit dhe detyrimin për të qëndruar në nivele të larta në Kategorinë Superiore.
Por, në sfidën ndaj rivalëve direkt, shqetësimi më i madh te korçarët lidhet me dëmtimet e tre titullarëve. Kapiteni Radas, mesfushori Muzaka dhe sulmuesi Krasniqi janë në garë me kohën për të qenë në fushë, ndërsa Shehi shpreson se të paktën dikush prej tyre të rikuperohet, por ka besim se pjesa tjetër e grupit do të japë shpirtin në fushë.
“Ka qenë një javë e vështirë për ne, për shkak të dëmtimeve, pasi bëhet fjalë për tre lojtarë kryesorë. Por, kemi edhe 24 orë në dispozicion dhe shpresojmë të rikuperojmë dikë prej tyre, edhe pse nuk besoj se do të jenë të gjithë të gatshëm. Te Partizani mungon Trashi? Ne nuk do të ndikohemi, nëse te kundërshtari ka situata nga më të ndryshmet. Do të shkojmë të bëjmë më të mirën tonë”.
Ndër të tjera, Shehi tha: “Duhet të japim shpirtin në fushë, sepse duke dhënë gjithçka që kemi, më pas mund të jemi të qetë me vetën kur të dalim nga fusha, pavarësisht asaj që mund të ndodhë. Kemi fizionomi të qartë loje dhe të gjithë lojtarët, që janë aktivizuar e kanë justifikuar besimin. Të gjithë lojtarët kanë marrë minuta”.
“Në ndeshjen e fundit, aktivizuam Oto Xhon, i cili shërbeu si pika e referimit të skuadrës. Nëse Krasniqi nuk i’a del të rikuperohet, kemi besim të vazhdojmë me Oton. Ai është një lojtar që ka premisa, por i duhet pak kohë të përshtatet, pasi vjen nga një tjetër kampionat. Edhe Arnaud është një lojtar që në mesfushë na jep ngrohtësi, ka presim dhe nuk besoj se na prish ekuilibrat”.
“Ndeshjet nuk i ngjajnë asnjëherë njëra-tjetrës. Janë dy ndeshje të ndryshme: në futboll nuk ngjasojnë ndeshjet, me ato që janë luajtur përpara një jave, dhe është e pamundur të flasim për një takim të zhvilluar dy muaj më parë. Për Skënderbeun, e vetmja gjë që duhet të përsëritet është shpirti i garës dhe dëshira për të fituar, që treguam në ndeshjen e mëparshme”.
“Jemi në rrugën e duhur, sepse çdo gjë që kemi arritur deri më tani, e kemi bërë me logjikë, si në lojë, ashtu edhe në rezultate. Rruga e duhur është të japim maksimumin në çdo ndeshje, ti shkarkojmë bateritë në fushën e lojës. Kurrësesi nuk jemi në presion për titullin, por… kemi një skuadër e cila mund ta fitojë. Jemi një klub që së fundmi e kemi fituar 7 herë titullin, ndërsa në tetë vite ka marrë 11 trofe. Nuk është e rrugës të themi gjithmonë jemi për titull, sepse kjo skuadër dhe ky klub e ka stofin për të qenë gjithmonë pretendent”.