Pogradeci-Tirana, sfida e parë e fazës play-off, do të luhet të dielën, ora 14.00, dhe do të transmetohet direkt në RTSH. Ndeshje delikate, ku Tirana ka synim të vetëm fitoren, por ndvrkohë duhet të ruhet edhe nga kartonët. Junus Sentamu dhe Dorian Kërçiku janë dy lojtarët e radhës të cilët rrezikojnë të mos luajnë për çështje kartonësh, pas ndeshjes me Pogradecin. Shkurt, dy bardheblutë kanë nga tre kartonë aktualisht. Nëse në takimin me Pogradecin ndëshkohen me një karton të katërt, atëherë të dy lojtarët nuk do të luajnë në takimin e dytë të fazës së tretë që bardheblutë do të luajnë me Tomorin. Të dy lojtarët rrezikojnë jo pak në ndeshjen me pogradecarët. Vetëm në ndeshjen e fundit për bardheblutë qëndruar dy lojtarë në bokse. Bëhet fjalë për Majkëll Ngonë dhe Marvin Turtullin. Të dy lojtarët u bënë me katër kartonë në ndeshjen me Apoloninë dhe në sfidën me Shënkollin ata ndeshjen e panë nga tribuna.
Doka “me maksimumin”
Albi Doka është rikthyer në stërvitje prej ditësh, por prej fillimit të kësaj jave ai ka qenë në maksimumin e forcave. Mbrojtësi ka nisur përgatitjet dhe mund të luajë që këtë javë disa minuta si zëvendësues. Gati për të luajtur nga minuta e parë, Doka do të jetë vetëm të shtunën e ardhshme. Skuadra dje ka qenë e plotë, pasi përveç Hardi Binguilës, të gjithë futbollistët e tjerë kanë qenë në stërvitje.