Me përforcimin e ri, Shkëndija fluturon drejt “misionit të pamundur”

Drejt Austrisë për atë që në letër duket një “mision i pamundur”. Dhe duke qenë se në futboll fjala e pamundur nuk ekziston dhe gjithçka mund të ndodhë, Shkëndija me të drejtë është optimiste. Edhe pse rivali që ka përballë quhet Salcburg dhe edicionin e kaluar arriti deri në gjysmëfinalet e Europa League.

Stërvitja e fundit në Tetovë për ekipin e Qatip Osmanit dhe pasditen e së hënës udhëtimi i kuqezinjve në kërkim të mrekullisë. Në avion së bashku me skuadrën ishte edhe Gledi Mici. Mbrojtësi i afruar si përforcim i bujshëm gjatë kësaj vere pas përfundimit të kontratës me Skënderbeun.

Dokumentacioni i lojtarit të krahut të majtë mbërriti në zyrat e klubit dhe Shkëndija arriti ta regjistronte m brojtësin për ndeshjet e turit të tretë kualifikues të Champions League. Një forcë më tepër për ekipin në ndeshjen e së mërkurës. Të martën tetovarët do të zhvillojnë edhe seancën stërvitore zyrtare në Austri. Stafi teknik nuk ka shumë dyshime, ndërsa Mici pritet të debutojë në formacionin titullar.

Salcburgu është një skuadër e madhe në arenën ndërkombëtare dhe në rast eliminimi, te Shkëndija kanë edhe një shans për të luajtur në fazën “play off” të Europa League. Por, këtë opsion kuqezinjtë nuk e mendojnë për momentin. Tetovarët kërkojnë të shijojnë në maksimum historinë e suksesit në Champions League dhe do të provojnë të bëjnë “të pamundurën”…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *