Shqipëria do të ndeshet kundër Çekisë në mbrëmjen e sotme. Atmosfera është e zjarrtë në Pragë dhe të gjithë presin që kuqezinjtë të kthehen të paktën me një pikë nga kjo transfertë, në mos me fitore.
Ndërkohë drejtuesi i emisionit “Ora Sport”, Altin Sulçe, ishte i ftuar në rubrikën e lajmeve të “Ora News”. Sulçe dha mendimin e tij rreth kësaj situate. “Ndeshja kundër Çekisë do të luhet në Fortuna Arena. Objektivi jonë është që t’i shpëtojmë fortunës së parë së Çekisë. Në shumë ndeshje ata shënojnë në 20 minutat e para, kjo nuk duhet të ndodh këtë herë.
Lojtarët çekë njihen për shtatlartësinë e tyre, për këtë arsye Silvinjo ka punuar shumë me goditjet e dënimit, goditjet e këndit, pra me mënyrën sesi do të markojnë lojtarët tanë. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme, por tani Shqipëria ka edhe një stol shumë cilësorë.
Nga ana tjetër, çekët kanë nisur të na nënvlerësojnë pak. Nuk gjen shumë shkrime për Shqipërinë në atë vend, njohin vetëm Qazim Laçin dhe janë të bindur se do të fitojnë. Nuk ka problem, ndoshta është më mirë kështu, ndoshta është më mirë që Shqipëria ta ketë më të lehtë që surprizojë.
Çekia është e mbushur me tifozët shqiptarë, nga çdo trevë e jona. Mos të harrojmë diçka të rëndësishme, tifozët nxjerrin para nga xhepi për Kombëtaren. Është bileta e ndeshjes, është akomodimi në hotel, rruga, janë shpenzimet për ditët e kaluara në një vend dhe zbukurimet që ata mund të bëjnë me simbolet e flamurit tonë. Kjo tregon diçka apo jo? Kjo tregon se është dashuri pa kushte, se këta tifozët gjejnë te kjo Kombëtare diçka që nuk e gjejnë askund tjetër.
Unë pres sot që të marrim një rezultat pozitiv, por ka shumë faktorë që mund të ndikojnë. Mund të ndikojë arbitri me një vendim, ndoshta fati i keq, janë shumë gjëra. Të gjithëve na ndodh që të jemi në një ditë jo. Mos të harrojmë se ata janë lojtarë, por pikësëpari janë njerëz me organizëm. Dikush mund të mos jetë mirë, mund të ketë një problem familjar të madh dhe ndikon në aspektin e tij psikologjik. Pra nuk është shumë e thjeshtë që të bësh parashikime, por ne vetëm urojmë që kjo të jetë dita e shqiptarëve”, tha Sulçe. /Sport Ekspres/