Sokol Cikalleshi po shkëlqen në këtë sezon me Konyaspor. Sulmuesi shqiptar arriti të shënonte një gol fantastik ndaj Goztepes në fitoren e fundit me shifrat 3-0. Ekipi i tij po mban vendin e dytë duke dalë përpara Fenerbaces dhe nëse do t’ia arrijë deri në fundin e kampionatit që të mos lëvizi nga ky pozicion, atëherë do të jetë pjesë e kualifikuesve të Champions League. Ndërkohë Cikalleshi ka shpërthyer si kurrë më parë. Aktualisht sulmuesi numëron 10 gola të shënuara në 27 ndeshjet e kampionatit.
Më mirë ka bërë vetëm në sezonin kur luante te Kukësi, 2013-2014, teksa asokohe do të realizonte plot 17 gola. Ndërkohë të njëjtën kuotë golash, 10 të tillë, e ka përsëritur edhe në sezonin 2014-2015 kur ishte te RNK Split, por te Konyaspor flitet për një kampionat më të fortë dhe mbi të gjitha ka ende ndeshje në dispozicion për të përmirësuar statistikat. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/