Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është një kauzë për të cilën çdo shqiptar ëndërron të realizohet. Sporti ka hedhur hapat e parë, teksa nga tani e tutje do të ketë një Ligë Unike në basketboll me skuadra nga Shqipëria dhe nga Kosova, si dhe Kupa Mbarëkombëtare e volejbollit. Një ide e tillë josh edhe aktorët e futbollit. Trajneri shqiptar, Bylbyl Sokoli, thekson në “Dueli Sportiv” në televizionin “Dukagjini“ se do të ishte idealja që kufijtë të liheshin mënjanë në futboll e të krijohej një Ligë Unike e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë e të mos mjaftohemi thjesht me një kompeticion të ri që sjell bashkimin e klubeve.
“Unë jam pro mendimit të kemi një ligë të përbashkët. Në një Ligë Unike do të kemi shumë Muriqa, shumë Rrahmana, shumë Rashica, shumë Kumbulla, pra nuk do të kemi shpërndarje të cilësisë si tani. Më mirë t’i kemi dy skuadra të fuqishme në Evropë që kualifikohen në grupe e jo shtatë ekipe që marrin pjesë për sy e faqe. Këtu bëhet shumë luftë për t’u ndarë, jo për t’u bashkuar. Kjo bën që Kupa Mbarëkombëtare të bëhet shkel e shko, me 15 tifozë“, ka thënë Bylbyl Sokoli, raporton gazeta “Olle“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/