“Më la sepse donte një grua shqiptare”, bashkëshortja e Canës tregon historinë e dashurisë me kapitenin legjendar të Kombëtares

Në “Supersport News” është transmetuar sot dokumentari “Lorik”, kushtuar kapitenit legjendar të Kombëtares shqiptare. Personat më të afërt kanë thënë rrëfimet e tyre dhe mes tyre nuk mungonte bashkëshortja e Canës. Monika ka treguar historinë e dashurisë me ish-futbollistin e Lacios, që nuk ka qenë e lehtë në fillimet e saj. Ajo ka thënë se Loriku i dha fund lidhjes së tyre vetëm për faktin se dëshironte një grua shqiptare, por gjërat ndryshuan më pas dhe dashuria mes tyre u kurorëzua me martesë.

“Shkoj me disa shoqe të miat në restorant. Aty ishte një tryezë e madhe dhe unë ulem përballë. Aty ishte edhe Loriku dhe shpesh shkëmbenim shikime dhe buzëqeshje. Në fund vjen kamarierja për të sjellë faturën dhe më sjell edhe një letër me numrin e telefonit dhe emrin. Kur shkoj në shtëpi i shkruaj: ‘Ka ikur koha e letrave. Duhet të ishe ngritur nga tryeza dhe të më flisje’. Ai nuk më tregoi që ishte futbollist, por më tha se do të largohej për një javë për arsye të punës dhe do të më shkruante kur të ktheheshim, ishte në grumbullim me Kombëtaren.

Kemi dalë pasi është kthyer dhe pas tre muajsh më la. Më la sepse e donte gruan shqiptare. Normalisht që u ndjeva keq, sepse më la thjesht për faktin që isha italiane dhe se isha dikush thjesht për të kaluar kohën. I thashë: ‘Në rregull, paç fat”. Disa kohë më vonë ndodhesha në një servis dhe dëgjoj një zhurmë makine. Ishte makina tij. E pyes nëse e kishte gjetur gruan dhe më thotë jo. I them se mund të dilnim për darkë dhe kështu u lidhëm sërish për të mos u ndarë më”, ka treguar Monika Cana./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *