Nga Klaudio Ndreca
Mario Morina ka bërë një rrëfim të sinqertë në “Fan Zone”, duke reflektuar disi për karrierën e tij. Sulmuesi 28-vjeçar dhe i formuar te Tirana, nuk ka kulmuar ashtu siç edhe pritej. Teksa kthen kokën pas tregon se ka pasur ofertë për të shkuar te Partizani, por ka zgjedhur që ta refuzojë për shkakun se e dinte reagimin që do të kishte për një kalim të tillë. Gjithashtu dashuria e madhe që ndien për fanellën bardheblu e ka detyruar që të kthehet nga Skënderbeu vetëm për të shpëtuar skuadrën ku u rrit që të mos binte nga kategoria.
“Unë qenkam ogur i mirë për Tiranën pasi edhe atëherë kur isha te Skënderbeu që vetëm po fitonte në Shqipëri, u ktheva te bardheblutë dhe shpëtuam për të mos rënë nga kategoria. Tani jemi më afër me titullin dhe duam që ta fitojmë në fushë, sepse ka shumë fjalë këtu. E paskan problem disa që Tirana do të fitojë Superioren. “Jo ata po stërviten, jo nuk po stërviten”. Ne jemi në vendin e parë dhe po i bëjmë ysmetin punës tonë, ashtu si shumë të tjerë.
Nuk e kam problem që Batha tani ka qenë “heroi” në derbin ndaj Partizanit. E di shumë mirë se çfarë kaloi Idi kur erdhi te Tirana me fjalët që ka dëgjuar, pasi jemi rritur te moshat e Tiranës së bashku. Më herët ka pasur interesim nga Partizani për mua, por nuk zgjodha që të shkojë atje. Jeta e natës? Ia kemi lënë të rinjëve tani, atëherë i frekuentonim më shumë”, tha Morina. /Sport Ekspres/