“Me ken shkodran t’tana i ban dhe ne jemi Tirona”, Dede e sheh si përplasje të mentalitetit të njëjtë

Klasiken e futbollit shqiptar mes Vllaznisë dhe Tiranës, Nevil Dede e sheh si një përballje të mentalitetit të njëjtë. Shprehja “me ken shkodran t’tana i ban” dhe “ne jemi Tirona”, janë një vetëbesim i madh për të dyja kampet, në mënyrë që të largojnë frikën e dështimit.

Tekniku i bardhebluve është shprehur se ekipi nuk do të ndryshojë asgjë nga ndeshjet e fundit, megjithëse po punon më tepër për konkretizimin e rasteve përpara portës së kundërshtarit. “Tirana nuk do të bëjë asgjë ndryshe nga ndeshjet e fundit, vetëm që të jetë më pragmatiste përballë portës dhe të shfrytëzojë rastet që do të kemi. Ky ekip ka shpirt të lartë luftarak dhe po e shihni që nuk ka rëndësi mosha që hyn në fushë, por fanella që vesh.

Për çfarë duhet të punojmë? Të fusim topin në rrjetë.  Tirana futet gjithmonë në fushë për ta fituar ndeshjen dhe këtë nuk e mohojmë dot.  Ne luajmë përpara një skuadre që vjen nga një qytet me të njëjtin mentalitet. Një shprehje thotë: “Me ken shkodran t’tana i ban” dhe ne do të mundohemi t’i presim nesër me shprehjen e tyre dhe meqë ne jemi Tirona dhe do të mundohemi të ta fitojmë brenda kornizës të një ndeshje sportive”, u shpreh Dede. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *