“Më ka çuditur Gega si njeri”, Safet Gjici flet hapur: E refuzuam 3 herë kërkesën, Partizani nuk ka mundur kurrë…

Skënder Gega do të largohej nga Kukësi me një ndjenjë të lartë përgjegjësie pas humbjes së fundit kundër Partizanit në shifrat 4-1. Trajneri paraqiti dorëheqjen dhe pas aprovimit do të vinte zyrtarizimi i shkëputjes së bashkëpunimit. Safet Gjici njihet gjithmonë si një president që nuk ka ndonjë debulesë të veçantë për trajnerët, madje duke i shkarkuar përpara kohe. Por këtë herë kishte një lidhje tërësisht ndryshe me Skënder Gegën. I pranishëm nëpërmjet një lidhje “Skype” në “Procesi Sportiv”, Gjici shprehet se Gega e kishte mendjen te Kukësi edhe në ditët më të vështira shëndetësore të tij, kur po luftonte me pandeminë.

“Ishte humbje e thellë dhe Partizani nuk ka mundur kurrë që të fitojë ndaj Kukësit në ato shifra. Por kjo ndodh në sport. Keqardhje për largimin e Gegës dhe më habiti fakti që kërkoi dorëheqjen pas ndeshjes. Të njëjtën gjë e bëri edhe kur ishte me COVID. Ishte një person që më ka bërë çudi, pasi edhe kur ishte me COVID, në vend që të merrej me shëndetin e tij, e kishte mendjen te Kukësi. Një person me ndjenjë përgjegjësie të lartë.

Derën e hapur do e ketë gjithmonë te ne. Kukësi e ka refuzuar tre herë dorëheqjen e Gegës kur ishte me COVID. E pranuam tani pasi e kishte bërë si fakt të kryer, ku kishte folur me futbollistët dhe drejtorin sportiv. Keqardhje, pavarësisht se Partizani nuk ka arritur kurrë që të mund Kukësin 4-1. Nëse ka pasur një trajner që nuk kishte asnjë presion, ishte Gega. Kisha marrëdhënie të shkëlqyera me të dhe komunikim të lartë”, u shpreh Gjici. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *