Një yll shqiptar po rritet në Danimarkë. Kombëtarja fërkon duart, ashtu si edhe Vejle, klub i sapo kthyer në Superligë, por që po befason me kualitetin dhe lojën.
Ylber Ramadani ishte lojtari më i mirë në fushë për Vejlen, që ishte fare pranë surprizës përballë Midtjiland. Por në harkun e tetë minutave (79′-87′) kampionët në fuqi realizuan tre gola, për të fituar 3-1 me përmbysje në trasfertë.
“Na vjen keq sepse pësuam dy gola nga goditje këndi dhe ishim përgatitur gjatë gjithë javës që ti evitonim këto episode”, tha Ramadani për “Vejle Atms Folkeblad” dhe shtoi: “E kemi nisur mjaft mirë kampionatin dhe u paraqitëm po kaq mirë përballë kampionëve të Danimarkës”.
Forma e mesfushorit ka bërë që trajneri Panuçi të vazhdojë ta cilësojë si element të rëndësishëm në Kombëtare. “Te Vejle arrita përfaqësuesen. Më erdhi ftesa për dy ndeshjet e radhës ndaj Skocisë dhe Izraelit dhe do të aplikojmë për viza”, u shpreh mesfushori.
Ramadani foli edhe për objektivat e kuqezinjve: “Synimi është të kualifikohemi në Europianin 2020. Ishte fantastike kur në grup me Danimarkën, Shqipëria u kualifikua për herë të parë në finalet e një turneu madhor (Euro 2016 në Francë). Shpresoj ta realizojmë përsëri diçka të tillë”.