Nga Klaudio Ndreca
Matko Djarmati u prezantua si drejtori sportiv i Vllaznisë ku do të ketë rolin kyç dhe gjithë përgjegjësinë për ndërtimin e ekipit të sezonit të ardhshëm. Shumë lojtarë që kanë qenë pjesë kryesore e kësaj skuadre kanë zgjedhur të largohen dhe këtu vështirësia rritet. Kjo pasi shkodranëve u duhet të marrin shumë futbollistë për të mbuluar boshllëqet, por nuk është e lehtë t’i bindësh në anën financiare dhe duke parë formën e Vllaznisë në sezonet e fundit.
Pesha e fanellës dhe historia në raste të tilla, gjuha popullore e përcakton qartë: “Nuk pi ujë”. Djarmati ka prekur edhe një problem tjetër së fundmi duke thënë se po i prish punë tepër tregu në Kosovë, pasi sapo mendohet që të transferohet një lojtar, i vjen një ofertë trefish më e lartë. Te Vllaznia e prezantuan si një propozim të Rijekës, klubit ku ka luajtur më parë Djarmati. Kjo ka bërë jehonë edhe në Kroaci, ku më veçanërisht “Novilist.hr” ka treguar të gjithë këto detaje duke treguar edhe bashkëpunimin e ngushtë me ndjekjen e modelit të Rijekës që kërkon Vllaznia së fundmi.
Por në fakt Matko ka parashtruar edhe një model të tijin, sesi do të jetë në këtë detyrë të re. Pra për të pasur një ide më të qartë, mjafton të kthehemi pak pas në kohë ku i pranishëm në “Zona Gol”, do t’i jepte një “shuplakë” të fortë të gjithë drejtorëve sportiv shqiptarë: “Ne nuk e dimë mirë konceptin e drejtori sportiv. Më thuaj mua një emër, një drejtor sportiv në Shqipëri që shkon jashtë dhe e sheh vetë një lojtar? Më thuaj vetëm një emër? Kjo është një punë që nuk bëhet në zyrë, duhet të jesh 250 ditë jashtë zyrës”, do të shprehej Matko. Duke marrë për bazë këtë pohim, mund të thuhet edhe që Shqipëria e ka gjetur një drejtor sportiv me plot kuptimin e fjalës, e gjeni te Vllaznia… /Sport Ekspres/