Laçi fitoi me rezultatin 0-1 në Ballsh ndaj Bylisit, por 90 minutat e kësaj sfide nuk ishin aspak normale. Lojtarët e të dyja skuadrave u përfshinë në një përplasje fizike me njëri-tjetrin, duke e zbehur totalisht fitoren e Laçit, pasi e gjithë vëmendja kaloi në incidentin e ndodhur.
I ftuar në emisionin, “Rubrika Sportive” në RTSH, Mentor Mazrekaj foli për vështirësinë e ndeshjes ndaj Bylisit, për shkak të terrenit. Ai nuk ngurroi të thurte elozhe për skuadrën e tij, e cila ka ndryshuar shumë këtë sezon.
“Terreni ishte shumë i vështirë, mendoj se kjo ishte ndeshja më e vështirë që kemi fituar në këtë sezon. Laçi, në këtë sezon, është ndryshe nga vitet e tjera. Tani jemi më të plotë dhe rezultatet po vijnë. “- u shpreh Mazrekaj.
32 vjeçari duket sikur ka “rilindur” tek skuadra e Laçit, të cilën e falënderon për mundësinë që i dha, kur asnjë skuadër nuk pranonte ta transferonte.
“Kur erdha te Laçi e mora si sfidë, sepse e kisha të vështirë të gjeja skuadër, ndërsa tani më duan shumë skuadra. Por nuk mund të harroj skuadrën që më zgjati dorën. Kam rinovuar për dy vite me Laçin”.- tha Mazrekaj /Elio Hajdari-Sport Ekspres/