Me Champions, Soue qëndron te Skënderbeu

Sulmuesi kryesor mund të vazhdojë të luajë në Europë, nëse konfirmohet pjesëmarrja në Champions. Drejtuesit janë në kontakte me Kievon  

Golashënuesi më i mirë i Superligës, Ali Soue, ka dy ditë që ka udhëtuar drejt Gambias. Ai ka mbërritur dje në vendlindje, duke nisur kështu pushimet. Sipas kontratës që ka lojtari me Skënderbeun, duhet të kthehet për të luajtur me bardhekuqtë vetëm nëse ata do të luajë në Champions League. Në të kundërt, Ali Soue do të kthehet te Kievo, që ka kartonin e tij.

Duhet pranuar se Soue është i nevojshëm për Skënderbeun, për mënyrën e lojës së tij, por, nëse korçarët e humbasin “luftën” me UEFA-n, atëherë edhe afrikani, si shumë të tjerë, nuk mund të kthehet. Nëse CAS-i jep një vendim pozitiv, më 10 qershor Soue do të udhëtojë drejt Shqipërisë për të filluar stërvitjen me grupin. Pas përfundimit të Championsit Soue përfundon kontratën që ka me korçarët dhe në atë moment do të flitet për një rinovimin e mundshëm të saj.

Soue shkëlqeu gjatë sezonit që lamë pas me fanellën bardhëkuqe dhe vlera e tij tashmë është rritur shumë. Kievo mund ta shesë futbollistin në fjalë, nëse do të ketë ndonjë ofertë të majme financiare, por për këtë vendosin italianët dhe jo korçarët. Bisedimet mes Kievos dhe Skënderbeut do të nisin vetëm pas Championsit. Për sulmuesin afrikan në fakt ka pasur interesim pak ditë më parë nga skuadrat turke, konkretisht nga Trabzonspori. Korçarët do të kenë të vështirë ta mbajnë këtë futbollist edhe në të ardhmen, por të paktën ta kenë gati për Championsin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *