Një skuadër që fiton, bind me lojë dhe kryeson kampionatin. Partizani i këtij sezoni i ka të gjitha kartat në rregull për të fituar titullin kampion dhe skuadra kërkon ta mbyllë fazën e parë të kampionatit në mënyrën më të mirë të mundshme.
Të dielën në “Selman Stërmasi”, përballë do të jetë Luftëtari, për të siguruar tre pikë që do t’i afronin të kuqtë më tepër me objektivin dhe për të mbajtur rivalët në distancë. Një ndeshje të cilën edhe tifozët kërkojnë ta shndërrojnë në festë, me grupimin “Ultras Guerrils 08-09”, të cilët kërkojnë një stadium të mbushur në mbështetje të ekipit.
Ja postimi i mbështetësve të Partizanit, në faqen e tyre zyrtare:
“Ndeshja luhet ditën e diel dhe gjendemi në krye të klasifikimit, vend që e kemi marrë për të mos e lëshuar deri në përfundim të kampionatit! Së bashku e morrëm kreun, së bashku t’a ruajmë, në çdo ndeshje, me mbështetje dhe prezencë maksimale. Ftoni të gjithe, t’a kthejmë në festë!
Forca Partizan!”