Për herë të dytë kosovari ka shtrënguar dhëmbët dhe ka zbritur në fushë, duke dhënë kontributin e tij në suksesin e madh të ekipit korçar
I ka ndodhur edhe para ndeshjes me Mlada Boleslav në Çeki, afro një muaj më parë, por edhe atëherë ka “shtrënguar dhëmbët” dhe ka luajtur, duke sakrifikuar jo pak. U duk sikur e keqja kaloi për mbrojtësin kosovar të Skënderbeut, Bajram Jashanicën, por nuk ishte e thënë. Edhe para ndeshjes së kthimit, që u luajt dje, mbrojtësi në një nga seancat stërvitore u dëmtua dhe ndjeu shqetësime, madje la edhe stërvitjen në mes. Te korçarët kishte panik dhe Daja lëvizi “gurët”. Por mbrojtësi me eksperiencë të madhe edhe në Kupat e Europës sakrifikoi edhe në mbrëmjen e djeshme, ku nuk mund të mungonte kurrsesi. Pa të do të ishte shumë më e vështirë. Kosovari ka “shtrënguar dhëmbët” dhe ka zbtirur në fushë, edhe pse nuk ishte i riaftësuar 100%.
Edhe dje ka zhvilluar një ndeshje të mirë, si gjithë lojtarët e tjerë të Skënderbeut, por ia vlen të veçoihet, sepse është nga ata lojtarë që bëjnë shumë për ekipin. Mbrojtësi e ka nisur si titullar dje dhe ka qenë një nga më të dalluarit për korçarët. I fortë në luftën në ajër sidomos dhe i pakalueshëm e bashkë me Radasin dhe Osmanin, të ndihmuar nga Mici dhe Vangjeli. Në fund ka marrë edhe përgëzimet e stafit, por edhe të presidencës për sakrificën e madhe që ka bërë edhe dje.
MBROJTJA – Në këto ndeshje europiane Skënderbeu ka spikatur si ekip, por reparti më i dalluar mund të thuhet se ka qenë mbrojtja. Ky repart, me lojtarë ekspertë si Radas, Jashanica, Vangjeli, Osmani dhe Shehi mbi të gjitha, ka bërë ndeshje shumë të mira dhe i ka dhënë ekipi sigurinë e nevojshme për të përballuar edhe kundërshtarë më të fortë se vetja. Pa dyshim që është për t’u veçuar loja në mbrojtje e korçarëve, pasi në çdo ndeshje Skënderbeu ka pasur garanci në prapavijë. Janë lojtarë me moshë relativisht të madhe dhe përvoja e gjatë që ata kanë në Superiore dhe në Kupat e Europës ndikon jo pak në suksesin e Skënderbeut.