Kampionët kanë sulmin e dytë më të mirë, teksa kanë shënuar 21 gola, vetëm 2 më pak se kryesuesit, por problemi duket se qëndron në prapavijë. Në krahasim me sezonin e shkuar, Kukësi është më mirë në sulm, por shumë më dobët në mbrojtje. Në repartin e tërhequr Milinkoviç herë i detyruar nga dëmtimet dhe herë duke bërë eksperimente nuk ka arritur që të ketë një katërsh konstante. Mungesa e Shametit për shkak dëmtimi, ndryshimi sa me Allën dhe me Hoxhën. Lëvizjet nga krahët me Hallaçin dhe Idrizin nga e djathta dhe Rrumbullakun e Imamin nga e majta nuk i kanë dhënë dot Milinkoviçit çelësin e suksesit. Ndoshta dhe vetë ndryshimet e shumta janë problemi. Në sulm Kukësi edhe pse nuk ka dyshen Pejiç-Emini ka arritur që të shënojë 6 gola më shumë se edicioni i vjetshëm, por të pësojë po ashtu 6 gola më shumë se vjet.
Në Kupë përgatitet rokada
Kukësi do të sfidojë mesditën e së mërkurës Erzenin, ndeshje kjo e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Edhe pse kompeticioni i dytë për nga rëndësia është një objekti i kampionëve, pritet që në takimin e parë të aktivizohen ato lojtarë që kanë pasur më pak minuta në dispozicion në ndeshjet e fundit. Vetëm pas pak ditësh është ndeshja me Skënderbeun dhe trajneri duhet të balancojë disi forcat. Një mundësi për ato lojtarë që kërkojnë të tregojnë veten dhe të kërkojnë më shumë minuta dhe në kampionat. Gjithsesi, nuk pritet që stafi teknik të lërë pushim të gjithë titullarët, pasi nuk duan që të përsëritet ajo që ndodhi në turin e parë me Egnatian, ku humbja në ndeshjen e parë kërkoi impenjim maksimal në ndeshjen e kthimit.