Nga Klaudio Ndreca
Ekipi i Castellon që ka marrë fitoren e parë në “Segunda Division” pasi ka mposhtur Ponferadian i ka idetë e qartë për merkaton e verës. Dy janë objektivat kryesor të këtij klubi për t’u përforcuar dhe që të jenë më konkurrues në këtë kampionat.
Pikësëpari kërkohet afrimi i Alex Centelles, 21-vjeçarit që është pjesë e Valencias. I rritur në akademinë e kësaj skuadre do të provonte një aventurë me ekipin portugez të Famalicao ku zhvilloi 27 takime. Ndërkohë është kthyer sërish te Valencia dhe spanjollët po mendojnë një tjetër huazim për të.
Castellon po insiston shumë te ky futbollist, që pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim. Nga ana tjetër e njëjta skuadër kërkon që të sigurojë edhe shërbimet e Rei Manajt. Bisedimet kanë nisur prej ditësh me katalanasit, por sulmuesi shqiptar është duke pritur një mundësi për të qenë pjesë e Serisë A. Nëse kjo është e pamundur të ndodhë, atëherë do të luajë sërish në “Segunda Division” pasi te Barcelona është tërësisht jashtë planeve të tyre. /Sport Ekspres/