Mblidhet Asambleja e Përgjithshme e FSHF-së, anëtarët marrin vendime të rëndësishme dhe miratojnë raportet financiare

Është mbledhur sot Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHF, që zhvilloi punimet në ambientet e Shtëpisë së Futbollit. Përveç anëtarëve dhe delegatëve, në këtë Asamble morën pjesë edhe përfaqësues nga UEFA dhe FIFA, Ministrja e Arsimit dhe Sporteve në Shqipëri, znj.Evis Kushi, si edhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, z.Agim Ademi.

Në nisje të Asamblesë, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit ndau çmimet e mirënjohjes për tre nga sponsorat e FSHF-së, Vodafone ( I jepet titulli mirënjohje për mbështetjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me Federatën Shqiptare të Futbollit që prej vitit 2008), Sigal Uniqa Group Austria (Për kontributin e palodhur në sigurimin e shëndetit të futbollistëve dhe të aktivitetit të futbollit që prej vitit 2016 dhe në vazhdim) dhe Union Bank (Për kontributin e gjatë e të rëndësishëm në mbështetje të futbollit shqiptar dhe për bashkëpunimin strategjik me FSHF-në prej vitit 2010).

Më tej, fjalën e mori Presidenti Duka, i cili çeli punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-së duke falënderuar miqtë specialë të pranishëm e veçanërisht Ministren e Arsimit dhe Sportit, znj. Evis Kushi, për mbështetjen e vazhdueshme e të pakursyer që i jep futbollit në përgjithësi. Presidenti Duka ftoi znj.Kushi të mbante fjalën e saj përshëndetëse.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit shprehu kënaqësinë që sporti kohët e fundit ka marrë një vëmendje të veçantë nga qeveria shqiptare dhe këtë e dëshmojnë shumë vendime dhe nisma të fundit. Ajo theksoi në mënyrë të veçantë vendimin për ndërtimin e tre stadiumeve të reja në Durrës, Vlorë dhe Korçë. “Kemi qenë së bashku me Presidentin Duka pjesë të jurisë ndërkombëtare për të vendosur për projektet që do të zbatohen në këto tre qytete dhe jemi shumë krenarë që këto tre projekte nuk janë thjesht për stadiume, por do të jenë pole të reja për qytetet tona, që do të kenë jetë 24 orë në 7 ditë të javës dhe që do të sjellin zhvillim ekonomik, kulturor, social, edukativ si edhe tregtar. Kemi stadiume të reja edhe në Elbasan, Kukës, Shkodër, stadiumin ‘Air Albania’ me impaktin kaq të madh që ka në zhvillimin e Tiranës dhe Shqipërisë”, tha Ministrja Kushi, duke shtuar se futbolli është ngritur në një nivel të ri pa diskutim dhe këtë e dëshmojnë edhe eventet e mëdha ndërkombëtare që janë organizuar kohët e fundit.

“Nuk mund të rri pa përmendur finalen e Conference League që e ktheu Tiranën në një qendër për të gjithë Europën dhe me impakt të madh jo vetëm për zhvillimin e turizmit sepse patëm vizitorë nga të gjitha vendet dhe zhvillimin e ekonomisë, por edhe për imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Natyrisht, që edhe vizita e Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino ka qenë një ngjarje e jashtëzakonshme për Shqipërinë. Mbështetja e FIFA-s dhe kjo marrëdhënie kaq e ngushtë, kaq pozitive dhe e frytshme e Federatës Shqiptare të Futbollit, por edhe e qeverisë shqiptare me Federatën Ndërkombëtare të Futbollit është tregues i këtyre zhvillimeve dhe i ngjitjes në këtë majë ku futbolli dhe sporti shqiptar nuk ka qenë kurrë më parë. Kualifikimi i vajzave të Vllaznisë në UEFA Women Champions League na bëri të gjithëve krenarë dhe ka qenë një arritje të cilën duhet ta mbështesim për ta zhvilluar edhe në ekipet e tjera dhe pse jo për të pasur rezultate edhe në kampionate të tjera”.

Më tej, znj. Kushi u shpreh krenare për bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm që Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka me FSHF-në. “Gjithmonë ka qenë e mirë, por mua më pëlqen të them që më mirë se kaq nuk kemi qenë asnjëherë më parë. Dhe këtë marrëdhënie e kemi të konkretizuar në projekte konkrete, siç është edhe ai FIFA-s ‘Football for Schools’, që është një projekt që është përqafuar menjëherë nga institucionet tona të arsimit parauniversitar. Po kështu edhe projekti ‘Uniforma ime’, një projekt për të cilin dua t’ju përgëzoj, pasi kanë qenë rreth 15 mijë fëmijë që janë furnizuar me uniforma falas, një kontribut i jashtëzakonshëm i FSHF-së. Nuk dua të lë pa përmendur edhe projektin ‘Topi yt’, si edhe projektet që kam veçanërisht përzemër si ‘UEFA Playmakers’ dhe ‘Grassroots’ që mbështesin futbollin e vajzave. Dhe këtu dua t’i shpreh mbështetjen FSHF-së dhe Presidentit Duka, të cilin përveç se ta falënderoj për këtë kontribut, t’i ofroj të gjithë mbështetjen që ne ta zhvillojmë edhe më shumë futbollin e vajzave. E di shumë mirë që ka një strategji për këtë dhe këtu kemi edhe Anila Bashën, që jo për solidaritet femëror këtu në një sallë që ka më shumë burra, por e meriton vërtetë mbështetjen që i jep futbollit të vajzave”, tha ndër të tjera Ministrja e Arsimit dhe Sportit.

Punimet e Asamblesë së FSHF-së i ka përshëndetur edhe përfaqësues i FIFA-s, Lorenzo Cavallari, i cili i përcolli komunitetit të futbollit shqiptar përshëndetjet më të përzemërta në emër të Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, Sekretares së Përgjithshme të FIFA-s Fatma Samoura, si dhe të gjithë administratës së FIFA-s. “Me morinë e aktivitete të organizuara gjatë vitit të kaluar, është e vështirë të vendosësh se nga t’ia fillosh. Vetëm 12 muaj më parë, ju organizuat finalen e parë të Ligës së Konferencës së UEFA-s. I gjithë futbolli europian i kishte drejtuar sytë nga Tirana dhe ambientit të bukur të stadiumit ‘Air Albania’, dhe sigurisht qe u tejkalua çdo pritshmëri. Ju organizuat një event të jashtëzakonshëm, të nivelit më të lartë, dhe do të doja t’ju përgëzoj edhe një herë për të gjithë punën e palodhur që është bërë prapa skenave për të mundësuar këtë arritje. Pak muaj më vonë, u inaugurua zyrtarisht ndërtesa ku jemi mbledhur sot, Shtëpia e Futbollit. Presidenti Infantino pati kënaqësinë të merrte pjesë në inaugurimin e muajit Shtator dhe ne jemi jashtëzakonisht krenarë që mundëm të kontribuonim financiarisht, nëpërmjet Programit të FIFA Forward, në ndërtimin e një strukture kaq fantastike. Pata rastin të vij për vizitë kur punimet nuk kishin përfunduar ende dhe është e mrekullueshme për mua, të shoh tashmë selinë e re plotësisht funksionale për të plotësuar nevojat e familjes së futbollit shqiptar”, tha ai, duke uruar edhe Presidentin Duka për rizgjedhjen e tij si anëtar i KE-së së UEFA-s.
“Do të doja të përfitoj nga rasti për të uruar ngrohtësisht Presidentin Duka për rizgjedhjen e tij në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s muajin e kaluar në Lisbonë. Rezultatet e zgjedhjeve janë një dëshmi e qartë e nivelit të besimit dhe lidershipit që keni treguar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivel evropian. FIFA është shumë krenare për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi me miqtë dhe kolegët e administratës së FSHF-së dhe presim që të vazhdojmë të punojmë krah për krah për t’i investuar këto fonde në projektet e zhvillimit të futbollit. Në veçanti, ne jemi shumë të kënaqur të shohim se strategjia juaj e vitit 2025 përfshin investime të qëndrueshme në infrastrukturë në partneritet me Qeverinë, e cila është plotësisht në përputhje me vizionin e FIFA-s dhe me siguri do të lërë një trashëgimi të qëndrueshme për të gjithë futbollistët e rinj anembanë Shqipërisë”, tha Cavallari.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, uroi Presidentin e FSHF-së, Armand Duka për rizgjedhjen si anëtar i Komitetit Ekzkeutiv të UEFA-s dhe u shpreh i nderuar që merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së

“Dua ta falënderoj për punën që ka bërë presidentin Duka, i cili u votua i pari në Asamblenë dhe Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Është nder për ne. E uroj sot, pasi nuk kam pasur mundësinë të jem pjesë e atij kuvendi për arsye personale. Është nder për ne dhe gjithë futbollin shqiptar dhe kosovar, që e kemi një njeri të tillë. Nuk është e lehtë që të votohesh dhe të marrësh pikët maksimale e të jesh i pari i votuar në Komitetin Ekzekutiv. Prandaj mirënjohje të madhe nga gjithë komuniteti i futbollit shqiptar. Jam gjithmonë i nderuar kur vij në këto kuvende, pasi po shihet të flitet për suksese në rezultate në klube. Rezultatet janë ato që shihen, por meqë futbolli është sport kolektiv dhe luhet me disa futbollistë dhe me një staf tjetër, mendoj se kështu të bashkuar dhe kolektivisht duhet ta udhëheqim edhe futbollin tonë, që të ngrihemi sa më lart në Europë, e pse jo të kthehemi – ndoshta të dy ekipet, ekipi kombëtar dhe përfaqësuesja e Kosovës – në Europian, por edhe në Kampionatin Botëror. Shqipëria ka qenë edhe më parë në Europian, dëshiroj që ta përsërisë këtë sukses”, – tha Ademi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online