Ardian Ismajli e ka nisur këtë sezon të ri në mënyrë të përsosur. Fantastik ishte në ndeshjet me Shqipërinë në shtator, kështu po vazhdon edhe me Empolin në Serinë A. Kjo skuadër është mes atyre që kanë pësuar më pak gola deri tani në kampionatin italian, ndërsa mbajtën portën e paprekur edhe ndaj Fiorentinës në barazimin 0-0.
Me apo pa shiritin e kapitenit, Ismajli dëshmohet edhe njëherë tjetër si një lider i pathyeshëm. Për Tuttomercatoweb, mbrojtësi shqiptar ishte lojtari i ndeshjes, duke marrë notën 7. “E dëshmon veten si një lojtar kyc në mbrojtjen e Empolit. Gjithmonë i fokusuar dhe i përpiktë në mbyllje, fiton pothuajse të gjitha duelet ajrore me sulmuesit kundërshtarë. Përvoja e tij dhe pozicionimi i saktë janë thelbësore në mbrojtje dhe neutralizimin e sulmeve të Fiorentinës”, shkruan media italiane. /Sport Ekspres/