Redi Vogli është basketbollisti i Tiranës, por njëkohësisht stërvit edhe fëmijët e vegjël që i futen këtij sporti. Në orën 19:00 të ditës së sotme do të luhet edhe ndeshja e dytë gjysmëfinale mes Tiranës dhe Teutës në basketboll, teksa e para u mbyll në favor të Tiranës dhe tani kërkohet finalja e madhe. I ftuar në emisionin “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora Neës” me Drilon Xhepollarin, Vogli kishte disa kritika edhe për prindërit, për mënyrën sesi menaxhojnë kohën e fëmijëve të tyre.
“Kemi bërë ndeshjen tonë më të mirë të sezonit në ndeshjen e parë gjysmëfinale kundër Teutës. Ne kemi traditë në basketbollin shqiptar, të paktën në këto 20 vitet e fundit. Të fitosh në transfertë ndaj Teutës është padyshim një hap drejt finales. Nuk ka mbaruar akoma, është akoma e hapur çdo gjë. Duhet të kemi vëmendjen se Teuta ta bën të keqen nga momenti në moment. Dua të mos zhgënjejmë tifozët pasi do të kemi shumë të pranishëm sot. Kemi mbështetjen e tifozëve që nuk e ka asnjë nga ekipet.
Trajner dhe basketbollist? Jetojmë në Shqipëri, të jesh në punë, të merresh me basketbollin, të merresh edhe me fëmijët e tjerë është shumë e vështirë. Unë e kisha në plan që kur të lërë sportin, të merrem prapë me këtë pasion. Më vijnë fëmijët e vegjël me deformime në trup, rrinë gjithë ditën me kokën ulur ngaqë luajnë vetëm me lojëra kompjuterike. Unë fajin ia vendos prindërve, duhet t’i aktivizojnë fëmijët me sporte”, th Vogli. /Sport Ekspres/