Mbape i mrekullueshëm, dhuron gjithë të ardhurat nga Kupa e Botës

Pjesëmarrja në Kupën e Botës është një ëndërr për çdo futbollist, që mbi të gjitha vlen lavdi dhe një të ardhme më të mirë, sidomos kur bën gjëra të mira në aspektin individual dhe atë ekipor.

Nëse pastaj shkon larg, apo pse fiton edhe Kupën e Botës, fitimet janë kolosale në aspektin e imazhit, por edhe në aspektin financiar, sepse çdo fitore ka premio, po ashtu çdo kualifikim e natyrisht super premio fitimi i trofeut me të rëndësishëm në botë.

Megjithatë, për shumë futbollistë të ardhurat në Botëror janë “qindarka” dhe nuk u ndryshojnë asgjë në jetën e tyre, ndaj nuk është se e kanë mendjen aty.

Një prej yjeve të Botërorit, Kilian Mbape, ka bërë diçka fantastike, që do duhej ta bënin gjithë yjet e futbollit: ka dhuruar për bamirësi gjithë fitimet nga Kupa e Botës, raporton L’Equipe.

Ylli francez ka arkëtuar thuajse 20.000 euro për çdo fitore dhe rreth 300.000 euro për titullin kampion bote.

Tani 19-vjeçari ka vendosur që gjithë të ardhurat, mbi 400.000 euro, t’i dhurojë për Premiers de Cordee, një shoqatë humanitare që ofron instruksione sportive për fëmijët e sëmurë apo me aftësi të kufizuara.

Menaxheri i përgjithshëm i fondacionit humanitar, Sebastian Rufin, ka konfirmuar gjithçka për Le Parisien: “Kilian është një person i jashtëzakonshëm. Kur ka mundësi, vjen të na vizitojë dhe qëndron e bisedon me fëmijët. Ndonjëherë më duket se ai zbavitet edhe më shumë se fëmijët, kur luajnë së bashku”.

Mbape u shpall Lojtari i Ri më i Mirë i Botërorit, si dhe i dyti futbollist në histori që shënon në finale pa mbushur 20 vjeç, pas magjikut Pele.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *