Dje hamburgu fitoi 3-1 në Këln, një fitore e madhe, që vlen kreun provizor në Bundesligë, pas dy ndeshjesh. Fillim perfekt për Hamburgun, që mendohej se do të vuante edhe më shumë këtë sezon, pas startit me eliminim nga kupa.
Dje Mërgim Mavraj mori karton të kuq që në fillim të pjesës së dytë, në një ndeshje plot ngjarje, sepse edhe arbitri kryesor doli për dëmtim.
Në fund pati 13 minuta shtesë dhe kur Hamburgu kryesonte 2-0, me Këlnin totalisht në sulm, erdhi goli shpresës për vendasit, që në minutën e 97-të shkurtuan përkohësisht në 2-1.
Pak sherr për topin, një goditje e lehtë për partnerin e Mavrajt në qendër të mbrojtjes, Papadhopulos, dhe… greku përtokë si i goditur nga Majk Tajson! Ikën edhe disa sekonda të artë, Hamburgu fitoi në fund, por Papadhopulos tani rrezikon, sepse mund të përdoret edhe ndonjë provë televizive kundër tij. Nëse ai mungon, mbrojtja bëhet lëmsh, sepse edhe Mavraj do të jetë i pezulluar në ndeshjen e ardhshme.