Jetës nuk i dihet asnjëherë, pasi surprizat janë të panumërta. Nesër në finalen e Kupës së Botës Franca do të sfidojë Kroacinë e vogël, por që në futboll po tregon se është shumë e madhe. Në këtë finale do të ketë dhe pak Superiore, edhe pse mund të duket e tepruar.
Trajneri i Kroacisë Zllatko Daliç ka qenë timonier dhe në Shqipëri, teksa në sezonin 2008-2009 drejtonte Dinamon e Tiranës, kur fitoi dhe Superkupën. Normalisht që gjatë qëndrimit në Shqipëri ka njohur shumë njerëz, me të cilat i ruan raportet. Një prej tyre është dhe drejtori sportiv aktual i Kamzës, Andi Matraxhiu, i cili asokohe ishte gazetar dhe mbulonte Dinamon.
Matraxhiu tregon për trajnerin aktual të Kroacisë, në kohën kur ka qenë trajneri i Dinamos, duke u kthyer pas në kohë, në një intervistë për “Sport Ekspres”, ku analizon edhe Kupën e Botës në këndvështrimin e tij.
KUPA E BOTËS
“Sa i takon Botërorit mund të thuhet se ka qenë nja Botëror me disa risi, ku do të veçoja sistemin VAR që nuk ka qenë në të shkuarën. Emocionet reale sikur janë humbur pak, pasi duhet pritur arbitri për ta konfirmuar edhe pasi është shënuar goli. Bëhet pak si lojërat në lagje, kur diskutonim në ishte gol apo jo, kur luanim vetë. Në tërësi ne njerëzit e futbollit nuk mund të jetojmë pa futbollin dhe ka qenë një garë e bukur. Nuk kam humbur asnjë ndeshje”.
FINALJA
“Sa i takon finales, tregon dy skuadra që e kanë merituar të jenë aty. Franca ka qenë një skuadër cinike, që ka luajtur mbyllur dhe ka pritur momentin e duhur për ta goditur kundërshtarin, me përjashtim të ndeshjes me Argjentinë, ku ju desh që të shënonte 4 gola. Në ndeshjet e tjera i ka zgjidhur me rezultat të ngushtë. Më pëlqen trajneri Deshamp për mentalitetitin që i ka dhënë ekipit. Është një skuadër që ka disa pika të forta, lojtarë me shumë eksperiencë. Kante është një futbollist që do e donte çdo trajner. Edhe Pogba e ka bërë shumë mirë “8”. Për të folur për Mbapen është e lehtë, pasi është ylli i Botërorit, po ashtu dhe Grizman po bën mjaft mirë. Zhiru nuk ka qenë shumë mirë, por ai ndihmon shumë dhe pas, për të krijuar një gardh në mesfushë.
SURPRIZA KROACI
“Kemi skuadrën kroate që nga emrat, dhe nëse marrim parasysh lojtarët që ka në skuadër, mund ta konsiderojmë pretendente, sepse pavarësisht se nuk është skuadër me shumë emër, me pak shtysë dhe me pak forcë i treguan botës se mund të arrihet. Ata e kanë arritur ëndrrën e tyre, pavarësisht se kur shkon në finale shanset janë të barabarta. Kroacia është një ekip shumë i mirë, që e bazon lojën në mesfushë ku ka tre “yje”, si Brozoviç, Rakitiç dhe Modriç, janë ata që bëjnë diferencën në lojna e skuadrës. Në tërësi ka lojtarë shumë të mirë. Do të veçoja dhe portierin Subashiç. Manxhukiç po ashtu është i domosdoshëm. Ka dhe një stol shumë të mirë. E ka merituar që të arrijë këtu”.
NJOHJA ME DALIÇ
“Është e vërtetë që e kam njohur Daliç dhe kam pasur marrëdhënie shumë të mira me të, madje i kam ruajtur akoma. Kam folur për të fundit herë me të më 17 qershor, kur e urova për ndeshjene parë. Tani është bërë pak e vështirë për ta kontaktuar, pasi është rritur interesi dhe nuk kam folur me të. E njoh shumë mirë, pasi kur ishte trajner i Dinamos, unë kam qenë gazetari që mbuloja skuadrën për gazetën “Sporti Shqiptar” dhe kam qëndruar çdo ditë me të, si në raporte pune ashtu dhe shoqërore. Ai ishte një person që i bënte të gjithë për vete. Ai ka këtë sukses, pasi ka bërë grupin për vete, është mjaft karizmatik dhe e di filozofinë e tij. Mendoj se duke pasur këto dhunti është një trajner i suksesshëm”.
LARGIMI I DALIÇ NGA DINAMO
“Gjatë kohës kur ishte te Dinamo ka gëzuar gjithnjë respekt nga opinioni sportiv, por edhe komuniteti ku jetonte. Është aluduar shuam për largimin e tij, por ai ka dhënë dorëheqjen. Është larguar me dëshirën e tij nga Dinamo, për disa arsye që unë nuk mund t’i zbuloj, nga pakti që kam bërë me të. Më kujtohet momenti kur është larguar nga Dinamo ai është shprehur: ‘Mos kërkoni kurrë që unë të flas diçka kundër Dinamos dhe nuk do dëgjoni asnjëherë të flas keq për Dinamon. Do të kem fjalë të mira’. Para se të largohej, ai ka shkuar në dërrasën e zezë ku po bënte mbledhje me ekipin numrin e tij dhe u ka thënë të gjithëve që ta telefononin nëse do të kishin një problem apo do u binte rruga nga Kroacia, duke u thënë lojtarëve se ai e kishte mbyllur aventurën tek Dinamo, megjithatë ai mbetej miku i tyre. Ishte një njeri special, që edhe kur dha lamtumirën, dy lojtarë janë përlotur. Edhe unë u ndjeva keq kur u largua, pasi ishte njeri pozitiv. Ata që thonë që këtu nuk ka bërë mirë, gabohen. Dinamo ishte kampion në fuqi dhe bëri një gabim, pasi afroi një trajner argjentinas që e prishi boshtin e skuadrës, pasi largoi shumë titullarë dhe mori shumë lojtarë të rinj. Kur u afrua Daliç u mundua që të rregullonte diçka. Solli lojtarë, arriti të fitonte Superkupën. Ai ekip nuk ishte për titull, trajneri i mori maksimumin. Nuk ishte skuadra që doli kampione. Ky njeri mendoj se e ka merituar atë finale. E kam ditur se do të ketë sukses me Kroacinë, pasi gjithnjë ka pasur sukses kudo që ta drejtuar. Ai është në finalen e Kupës së Botës dhe them se nuk do të surprizohesha. Nuk e kanë zgjedhur kot tek Kroacia.
HISTORIA E SUKSESIT
“Daliç e ka nisur karrierën e tij në fillim të viteve 2000 te Varteksi, si ndihmëstrajner i Mirosllav Blazheviç, i cili është trajneri i Kroacisë që e çoi deri në gjysmëfinale në 1998. Nga ky trajner ka marrë eksperiencën e parë. Është një njeri i predispozuar për këtë detyrë. Ata që e njohin nga afër e dinë se sa i përkushtuar është dhe sa besim ka vetvete. Nga aparenca ishte shumë i kujdesshëm, nëse nuk shkëlqente në veshje nuk dilte nga shtëpia. Pasioni që ka them se është diçka shumë pozitive. Lëvizja e tij e parë e famshme ka ndodhur nga një kontakt që kam pasur unë me menaxherin Ilir Halilin, i cili më ka pyetur në 2010 për Daliç, për ta çuar në Arabinë Saudite. Kam dhënë mendimin tim pozitiv për të dhe pasi i kam dhënë numrin ai u transferua në Arabi. Aty më pas bëri mjaft mirë. Më pas kaloi në Dubai ku fitoi shumë tituj. Ai ka trajnuar shumë lojtarë me emër. Te Kroacia ai formuar frymën e grupit dhe ky është çelësi i suksesit. Ai është shumë pozitiv dhe nëse dikush ka mungesë respekti ai është i prerë, por nuk është i egër, është person pozitiv.
Intervistoi: Jurgen Zela