Mashtrimi i mediave serbe me pyetjet e gazetarëve shqiptarë

Në përfundim të ndeshjes Partizan i Beogradit-Skënderbeu u zhvilluan konferencat e zakonshme për shtyp dhe gazetarët shqiptarë ishin të pranishëm edhe te konferenca e trajnerit serb Mirosllav Xhukiç.

Një konferencë normale për shtyp është kthyer në një skandal nga gazeta serbe “Blic”, që konfirmon praktikisht namin e keq që kanë mediat serbe edhe brenda Serbisë, aq sa përbuzen nga shumë njerëz në Beograd.

Një pyetje normale, drejtuar zëdhënëses së shtypit Biljana Obradoviç, se a ishte i shqetësuar klubi për koret për Kosovën në stadium, mori një përgjigje të thjeshtë: “UEFA kishte ndaluar fjalën shqiptar, por nuk kishte ndalur kore të tipit Kosova është Serbi”. Ky ishte versioni zyrtar i zëdhënëses (të paktën përkthimi ishte i tillë) dhe pyetja për të mori spunto nga fakti se ajo pak më herët falënderoi tifozët për sjelljen perfekte, ndërsa në media gjithçka u transformua në mënyrë spektakolare.

Pyetja e gazetarit shqiptar u transformua në provokim drejtuar trajnerit, në një kohë që ishte për zëdhënësen e klubit, ndërsa përgjigja u transformua në luftë, sikur zëdhënësja tha: “UEFA i ka konsideruar normale koret për Kosovën, sepse Kosova është pjesë e Serbisë”.

Sipas gazetarëve serbë, me atë përgjigje zëdhënësja ua mbylli gojën gazetarëve shqiptarë, që sipas tyre ishin duke provokuar hapur.

Interesante, sepse asgjë e tillë nuk ndodhi, nuk pati provokime nga gazetarët shqiptarë, por ishte thjesht pyetje a ishin problem koret e tifozëve. Mjafton ky lajm për të kuptuar çfarë pasqyrimi dhe imazhi të keq i krijojnë mediat serbe (të paktën një pjesë e gazetave nacionaliste e ekstremiste në qëndrime) vendit të vet, gjë e pranuar edhe nga shumë serbë në Beograd.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *