“Mashallah Halili me premiot”! Rrëfimi i Idi Bathës: Duan t’i fusin shkopinjë nën rrota Tiranës, Telushit i them se jemi punëtor

Tirana iu gëzua titullit të 25-të kampion të Kategorisë Superiore në fundjavë duke ndezur kështu festën te të gjithë tifozët bardheblu. një trofe ky që vjen si dhurata më e bukur për këtë 100 vjetor të klubit kryeqytetas. Në një sukses të tillë të ardhur pas një sezoni fantastik nuk mund të mungonin as shpërblimet për lojtarët dhe këtë e konfirmon edhe vetë mesfushori Idris Batha.

Ky i fundit ishte i ftuar në emisionin “Fax Sport” të moderators Klevisa Alinani, ku ka pohuar se ndihet i kënaqur me premiot e presidentit Halili. Sa i përket dyshimeve për trikim në të cilën është bërë pjesë ekipi i Tiranës, Batha duket i bindur për pastërtinë e klubit.

“Isha i ftuar në një studio televizive kur mora vesh se fitoi Vllaznia dhe automatikisht u shpallëm kampion. Ishte ndesi e veçantë, e përjetova shumë bukur nga studio. Për sa i përket mesazheve janë të panumërta. I kërkoj ndjesë që nuk mund t’i përgjigjem dot të gjithëve, sepse janë pafund. Duket sa e kanë pritur tifozët e Tiranës. Sigurisht që më vjen keq nëse nuk do të zhvillohet festa me tifozët. Në fund të fundit futbolli luhet për tifozët në të gjithë botën. Tifozët janë ata që ia japin madhështinë futbollit. Shikoj gjithashtu në television ekipet më të mëdha të botës që kanë festuar me stadiumet bosh dhe nuk është një ndjesi aspak e bukur. E shëmton futbollit. Lojtarët ikin dhe shkojnë në ekipe të ndryshme, por tifozët qendrojnë aty përjetë.

Tani që ka mbaruar kampionati mund të flasim realisht atë që mendojmë. Të jem i sinqertë nuk u ndjemë të kërcënuar nga Kukësi sepse kishim një farë distance dhe qetësie. Megjithatë dua të përgëzoj Kukësin për kampionatin që ka bërë sepse ishin një kundërshtar shumë i denjë, i fortë. Një ekip i shkëlqyer.

Premiot? Marshallah! Mos të marrim sysh as presidentin as ekipin. Ishin një shtysë shumë e madhe për ekipin tonë premiot që na ka dhënë presidenti, sepse në fund të fundit edhe për anën financiare luhet futbolli.

Unë e kam shprehur që në rast se nuk kam një ofertë të mirë nga jashtë vendit me shumë mundësi do të jem pjesë e Tiranës. Përderisa trajneri ka dalë kampion meriton vëmendjen dhe respektin e gjithkujt. Këto janë çështje që nuk më takojnë mua. Faktikisht e kisha menduar që do të ishim kampionë me këdo që do të vinte trajner. Fati është që Egbo e realizoi objektivin, sepse dy trajnerët e tjerë nuk dhanë rezultatet e duhura. Zakonisht kur del kampion trajneri nuk kritikohet. Egboja unë e kam shprehur shpesh që ka pasur meritë shumë të madhe të suksesit për faktin që diti ta menaxhonte grupin.

Dyshimet për trukim? Ç’është e vërteta klubi i Tiranës është i pastër dhe nuk ka lidhje fare me këto muhabete që fliten. Këto çështje i takojnë organeve kopetente. Janë gjëra që duan të fusin shkopinj nën rrota. Ne vazhdojmë të ecim përpara të qetë dhe të bindur drejt rrugës sonë.

Nëse një ofertë e mirë nga jashtë vendit arrin në adresën time ndoshta nuk ka vend për t’u menduar. Kaq shumë vite që stërvitemi dhe shumë ëndrra që në fëmijëri. Gjithmonë kam pasur dëshirën për të provuar veten në një kampionat më të fortë. Kam bindjen dhe shpresoj. Kam shpresën se do të vijë diçka. Por nëse nuk vjen prapë do të jemë shumë i kënaqur dhe i lumtur që do mbetem te Tirana. Kalimi te Lugano? Nuk ka asgjë të vërtetë. Janë llafe gazetash. Edhe vetë jam habitur kur i kam lexuar.

Nuk më vjen keq që nuk isha vjet pjesë e Partizanit. Por dua të fitoj kampionat çdo vit. Luajta 4 vjet te Partizani, nuk e arritëm dot objektivin. Deklarata e Telushit? Nuk është as hera e parë as hera e fundit që ndodh një kalim i tillë në futboll. Nuk ka asgjë të keqe, sepse jemi punëtorë në fund të fundit. Kjo është puna jonë dhe do punojmë atje ku është më me leverdi për ne dhe për familjen tonë. Deklaratat e Telushit, sado që nuk kanë lidhje me mua, mund t’i thotë çdo futbollist. Por nuk dua t’i shkoj këto se nuk merrem me deklarata. Më besoni se është një ndjesi që nuk mund ta përjetojnë të gjithë derbin, e përjetojnë vetëm ata që kanë veshur të dyja fanellat. Ka edhe ajo bukurinë e vetë. Më pëlqen të luaj në tension, pasi tifozët e Partizanit presin që të gaboj, ndërsa ata të Tiranës që të shënoj”, ka deklaruar Idi Batha./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *