Mbrëmë në Amerikë u luajt një ndeshje miqësore mes Liverpulit e Borusias së Dortmundit, me gjermanët që fituan 3-1.
Heroi i mbrëmjes ishte një amerikan, 19-vjeçari Kristian Pulisiç, i cili u fut në pjesën e dytë, shënoi 2 gola dhe krijoi të tretin.
Në mënyrë komike, pas ndeshjes çmimi Njeriu i Ndeshjes iu dha mbrojtësit të Liverpulit Van Dijk, pasi Pulisiç nuk ka mbushur ende 21 vjeç dhe çmimi jepej nga sponsori, prodhuesi i birrës Heineken.
Ndërkaq, masat e sigurisë në stadium ishin ekstreme dhe të pakuptimta. Çdo lojtar ruhej në mënyrë habitëse, aq sa kur një tifoz i vogël, ndoshta 10 vjeç, shkoi drejt Pulisiç për autograf, dy “gorilla” gati e palosën sikur të ishte terrorist. Aty ndërhyri Pulisiç, i cili foli me rojet e sigurisë, e mori tifozin dhe bëri edhe foto me të.