Martini: Klubin e rrënoi Bashkia, Vllaznia nuk bie nga Superiorja

Ish goleadori dhe ish-trajneri kuqeblu pranon penalltinë e mohuar të Sukajt, por kërkon që rasti në fjalë të mos përdoret për alibi për pjesën e mbetur të kampionatit. Sipas tij, gjyqtarët nuk e kanë ndëshkuar Vllazninë

Gaspër Marku

Për Edi Martinin, ish-futbollistin simbol të Vllaznisë që një pjesë të mirë të karrierës, pati rastin ta kalojë edhe jashtë vendit, pozicioni aktual i shkodranëve. nuk është aspak komod. Nën gjykimin e goleadorit të spikatur, që më pas vijoi edhe në detyrën e trajnerit të Vllaznisë dhe disa skuadrave të tjera të futbollit shqiptar, kuqeblutë do të vuajnë jo pak edhe këtë sezon. Por sipas tij, nuk ka ndonjë rrezik serioz për rënë nga kategoria, pasi në ndeshjet e tjera në vazhdim, skuadra do të dijë të marrë pikët e duhura të mbijetesës. Martini, në një prononcim të dhënë në emisionin Arena Sportive të televizionit Rozava është i bindur se situata do të ndryshojë për mirë, gjatë javëve të ardhshme.
-Edi, Vllaznia duket se e ka shumë të vështirë që të qëndrojë në Kategorinë Superiore
Nuk mbaj mend se ka qenë ndonjë herë e lehtë, por në vazhdën e vitit të kaluar është edhe sivjet. E rrezikuar është, por unë shpresoj dhe besoj se do të jetë më e lehtë se sa sezonin e kaluar, që e lamë qëndrimin në Superiore për ndeshje të fundit.
-Ku e bazoni këtë siguri, që Vllaznia e ka më të lehtë se vjet qëndrimin në Kategori?
Normalisht, janë marrë futbollistë cilësorë. Disa prej tyre sidomos kanë sjellë atmosferë dhe personalitet. Do të veçoj Vucajn dhe Sukajn, por edhe Malotën-Berishën, që me thënë të drejtën, më pëlqejnë që të dy. Megjithatë është e vështirë që këta lojtarë që erdhën, të bënin ndryshimin 100 përqind tek ekipi, sepse edhe ata duan kohën e tyre. Unë mendoj që Vllaznia është më mirë se në fazën e parë, por prapë ka shumë punë për të bërë.
-Është e barabartë me ekipet e pjesës së poshtme të tabelës
Unë mendoj se Vllaznia ka nevojë për shumë punë. Shumë më tepër për kërkesë llogarie dhe pavarësisht humbjes me Kukësin dhe se si do të vijnë punët, Vllaznia ka për tia dalë.
-Në Kukës ama Vllaznia humbi
Ne duhet të kërkonim diçka më tepër tek ndeshja me Partizanin, ku ekipi duhej të shtynte diçka më përpara sepse pavarësisht emrit që ka, nuk është ai Partizani i mëparshëm. Duhej të luhej më tepër për të fituar tre pikë. Normalisht, që me dy barazime ke vetëm dy pikë. Kështu që ndeshja me Partizanin duhej të kishte më tepër impulse për ta fituar atë.
-Gjykimi e ka sakatuar Vllazninë në takimin me Kukësin
Në ndeshjen me Kukësin, rastin e Sukajt e shoh penallti dhe duhej të jepej penallti. Vetëm gjyqtari e di se përse nuk e ka dhënë.
-Opinioni sportiv dhe realiteti tregon se Vllaznia nuk është ndëshkuar nga gjykimet. Si e mendoni?
Ne kemi 5 vite që nuk kemi të drejtë të ankohemi për arbitrat me ndonjë rast spontan. Normalisht, tani shikohet që Vllaznia ka humbur personalitetin e vet, ka humbur emrin e vet, është një ekip që trajtohet si ekip i dorës së dytë. Mbaj mend që kur unë kam luajtur futboll, ndoshta ishte hija edhe e fanellës që ndikonte tek arbitrat, që na akordonin edhe ndonjë penallti të paqenë, ose iu mohonin kundërshtarëve tanë, ndonjë penallti që ishte. Por, atëherë personaliteti ynë në fushë, pesha e fanellës, tifozllëku në stadium dhe shumë e shumë gjëra ndikonin në favorin e ekipit tonë. Në çdo vend të botës, dashje pa dashje, ekipet e mëdha avantazhohen. Arbitri është nën presion. Dhe, për këtë doja të thosha që Vllaznia ka 5-6 vite, që e ka humbur peshën e fanellës, sepse ne kemi shkuar në atë masë, që kemi humbur personalitetin.
-Është alibi një reagim i ashpër ndaj gjyqtarëve, që më pas ndëshkon skuadrën?
Mos të bëjmë viktimën, duke u marrë me arbitrin dhe të harrojmë problemet brenda skuadrës, sepse siç e thashë më sipër prej pesë vitesh nuk kemi pasur raste të tilla. Mund të kishte qëlluar ndonjë rast spontan në vazhdimësi, por për rastin në Kukës është një kapitull i mbyllur. Nuk duhet të përqendrohemi shumë tek episodi i arbitrit dhe duhet të mendojmë për ndeshjet e ardhshme. Nëse krijohet bindja se po na dëmtojnë arbitrat, krijohet një presion psikologjik jo i favorshëm edhe për skuadrën.
-Golat pësohen shumë shpejt. Fare mirë mund të evitoheshin?
Bazuar edhe në ndeshjet e fundit, një diçka pozitive është se nuk kemi pësuar gola, pavarësisht ndeshjes së fundit me Kukësin, që me një skeme standarde, Vllaznia u gjet e papërgatitur në pësimin e golit të parë. Markimi një për një, apo në zonë, nuk e di saktësisht se si janë orientuar futbollistët, por mendoj se në momentin e goditjes me kokë nga ana e Shametit kishte mungesë përqendrimi, gjë që i kushtoi skuadrës. Gjithsesi, e mira është që secili të kryejë detyrat e veta në fushën e lojës.
-Një mendim për golin e dytë?
Goli i dytë nuk është se u pësua krejt në fund dhe për këtë ekipi duhej të kishte më tepër kthjelltësi dhe të mos e pësonte golin në atë mënyrë të çoroditur. Ky ç’bilancim duhet të vijë në minutat e fundit dhe jo aq herët. Dëgjoj dhe faktikisht këta arbitrat janë bërë objekt diskutimi dhe mund të jetë pjesa më e errët e kampionatit shqiptar, por ne si Vllazni, prej 5, apo 6 vitesh që mbaj mend unë nuk është se kanë bërë ndonjë hata të madhe, apo na kanë ngrënë hakun.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *