Martin Nespor çdo ditë e më shumë po bëhet çështje te bardhekuqtë. Sulmuesi çek, gjatë gjashtë muajve të parë të sezonit 2017-2018 ka luajtur me dy skuadra, kështu që nuk mund të bëjë një kalim në ndonjë skuadër tjetër. Përpara se Martin Nespor të vinte te Skënderbeu, luajti për Zagblebien në Poloni, klubin polak që e huazoi te korçarët. Nespor ka luajtur me dy skuadra tashmë dhe nuk lejohet të federohet me një skuadër të tretë brenda një sezoni. Kështu, ai mund të qëndrojë te Skënderbeu deri në fund të këtij sezoni. Një gjë e tillë e bën me “dhimbje koke” presidentin Ardjan Takaj, pasi lojtari në fjalë, jo vetëm që ka pagë të lartë, por është edhe i dëmtuar dhe deri tani nuk ka mundur të japë asgjë për Skënderbeun. Ai ka luajtur vetëm 11 minuta me Skënderbeun dhe ka kohë që është në shtëpi. Ende nuk është e qartë se cila do të jetë zgjidhja për këtë çështje, që i rëndon jo pak financiarisht klubit juglindor. Presidenti Takaj dhe menaxheri i futbollistit kanë lënë një takim mes tyre për të gjetur një akord mes tyre, ndoshta për zbritje të rrogës mujore, nëse kthehet në Korçë. Deri tani Nespor nuk ka lënë asnjë gjurmë me fanellën e Skënderbeut, ku në verë u prezantua me shumë bujë.