Anësori i Real Madridit, Marselo, u tregua i sinqertë pas ndeshjes, duke pranuar se pretendimi i Bajernit për një penallti për prekje me dorë të topit nga braziliani ishte i drejtë dhe duhej dhënë 11-metërsh.
“Po, topi u përplas në dorën time dhe në raste të tilla jepet penallti”, shpjegoi Marselo, i cili gjithsesi shpjegon se nuk e ndali topin me qëllim: “Do gënjeja, nëse do thosha që nuk e preka topin me dorë. Realiteti nuk mohohet, por nuk e ndala me qëllim”.
Sipas Marselos, më të mirët në fushë ishin portieri Navas dhe sulmuesi Benzema: “Jam shumë i kënaqur për Kejlorin dhe Karimin, e meritonin një ndeshje të tillë. Futbolli ndonjëherë është i vështirë, të gjithëve na ndodh një natë e keqe, por kështu është, një herë gabon e një herë shënon. Një ditë të fishkëllejnë dhe ditën tjetër të duartrokasin. Jemi shumë të kënaqur për kualifikimin, synimi ynë ishte një tjetër finale dhe ia dolëm mbanë. Ishte një ndeshje shumë e vështirë, ndaj një rivali mjaft të fortë, por ditëm të vuanim”.