Rezart Dabulla ka pasur kritika të forta për ekipin e tij të zemrës, Tiranën. I ftuar në emisionin “Ora Sport” né “Ora TV”, ish-futbollisti ka qenë i ashpër me lojtarët për shkak të paraqitjes së tyre në derbi. Sipas tij, lojtarët e Tiranës nuk e meritojnë rrogën e këtij muaji.
“Tirana goditi për herë të parë në minutën e 45 në portë. Ka shkuar gjatë gjithë lojës për të bërë goditje në portë 4-5 herë dhe në këto 4-5 herë ishin edhe shtyllat brenda. Partizani bëri minimalisht dyfishin e rasteve dhe të volumit të lojës. Ti nuk mund të thuash që, ekipi ka performuar mirë kur lojtari më i mirë i skuadrës së Tiranës në atë ndeshje ishte portieri. Nëse është portieri lojtari më i mirë në fushë dhe ka pësuar dy gola e ka humbur ndeshjen, unë nuk e di se çfarë ndeshje kanë parë këta të tjerët.
Unë mendoj që Tirana ka marrë lojtarë të mirë, por me atë që pashë unë kundër Partizanit, asnjë prej atyre lojtarëve të mirë nuk e meritonte rrogën e këtij muaji. Mbase rrogën e muajit tjetër mund ta meritojnë ata, por të këtij muaji jo. Unë nuk mund të shoh një lojtar me bluzën e Tiranës që paguhet 7 mijë, 8 mijë e deri në 10 mijë euro në muaj dhe të mos bëhë asgjë në fushën e lojës”, ka thënë Rezart Dabulla./Halit Delibashi-Sport Ekspres/