Kroati me përvojë i mbrojtjes korçare është i bindur se skuadra e tij është në gjendje çdo ndeshje që i del përpara dhe nuk do të kursehet aspak
Leonard Trebicka
Që në vitin 2011 ka veshur fanellën e Skënderbeut dhe vazhdon të jetë një nga lojtarët më të mirë në qendër të mbrojtjes. Në muajin tetor mbush 35 vjeç, por mosha nuk do të thotë asgjë për Marko Radas, i cili këtë sezon ka luajtur 1958 minuta dhe ka shënuar dy gola. Një sezon i suksesshëm edhe për kroatin, që beson shumë se Skënderbeu do të shpallet kampion disa javë para fundit. Ai kërkon edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë, që nuk ka mundur ta shijojë asnjëherë me Skënderbeun. Ja dhe intervista e plotë e Radasit për “Sport Ekspres”:
– Radas, pas mungesës së Shehit, do të jeni ju kapiten i Skënderbeut në vazhdim. Si ndjeheni?
– Në fakt, nuk e kam shumë mendjen te shiriti i kapitenit, më intereson rikthimi i Shehit sa më parë në fushë. Ai është kapiteni i Skënderbeut. Kur kam shiritin, siç ndodhi në ndeshjen e fundit, pas dëmtimit të Shehit, ndihem i vlerësuar.
– U bë një kohë e gjatë me Skënderbeun dhe duket sikur jeni kthyer në një korçar të vërtetë…
– Po, e ndjej veten korçar. U bënë kaq shumë vite me këtë fanellë dhe Korça është qyteti im i dytë. Këtu kam kaluar vite të mrekullueshme dhe kam provuar gjithçka, nga titujt e shumtë kampionë, Superkupat, Championsin dhe grupet e Europa League. Janë suksese që nuk mund t’i gjeja me një skuadër tjetër, përveç Skënderbeut.
– Në tetor mbushni 35 vjeç, a e keni menduar tërheqjen nga futbolli?
– Kam ende për të dhënë, madje më mirë do ta thosha se do të vazhdoj të shijoj edhe titullin kampion, pse jo edhe trofeun e kupës, që nuk e kam fituar asnjëherë me Skënderbeun, por kemi përpara edhe Championsin përpara. Pra, duhet të mendoj më shumë për sukseset se kur do ta lë futbollin. Nuk di të them se kur do t’i var “këpucët në gozhdë”, por ajo ditë sigurisht që do të vijë.
– Çfarë mendimi keni për titullin kampion, që duket vetëm çështje kohe?
– Skënderbeu është absolutisht skuadra më e mirë e Superligës. Kemi kryesuar që nga dita e parë dhe sot jemi 15 pikë përpara, pikë që i kemi fituar me meritë. Është vetëm çështje matematikore për të thënë se jemi kampionët e Shqipërisë.
– Ndeshja e radhës luhet të shtunën në Shkodër ndaj Vllaznisë. Si e parashikoni?
– Do të jetë një ndeshje shumë e fortë, e dimë. Vllaznisë i duhet patjetër fitorja, ndërsa ne jemi më të qetë, por gjithsesi do të luajmë edhe në këtë ndeshje për fitore, pavarësisht se vendësve ju duhet më shumë. Kemi dëgjuar javë pas jave se Skënderbeu do të ndalet në këtë apo atë ndeshje, por ne vazhdojmë të ecim përpara dhe jemi të bindur që nuk ndalemi as në Shkodër. Nuk do të nënvlerësojmë asnjë skuadër, pavarësisht se titulli është shumë afër.
– Ka pasur shumë fjalë se Skënderbeu do të tolerojë. Ju kanë shqetësuar këto fjalë?
– Nuk është hera e parë që përgojohemi. Për këtë jemi bërë edhe çështje në UEFA, por jemi Skënderbeu dhe do të tregojmë veten, ashtu si deri tani. Skënderbeu ka luajtur dhe do të luajë deri në fund vetëm për veten.
– Pas Vllaznisë, ktheheni në Korçë, ku filloni ciklin e ndeshjeve ndaj Flamurtarit…
– Do të jetë një gjysmëfinale e fortë në kupë me këtë kundërshtar, që do të ketë edhe spektaklin brenda. Jemi të bindur që këtë vit do t’i shkojmë deri në fund kupës. Është i vetmi trofe që më mungon te Skënderbeu dhe këtë vit jemi shumë më lart se të tjerët dhe besoj se do ta triumfojmë në të dy kompeticionet.
– Së fundi, këto ditë pushimesh ju ndihmuan për t’u çlodhur, apo ndërprerja e kampionatit prishi punë?
– Nuk jemi çlodhur, sepse kemi ditë që kemi filluar përgatitjet për ndeshjen ndaj Vllaznisë. Sigurisht që pushim mund të quhet vetëm ai moment, kur nuk kemi luajtur ndeshje, pasi në stërvitje kemi punuar normalisht dhe tani do të shtojmë ritmin. Të shtunën na pret një ndeshje e vështirë në Shkodër, por them se do të fitojmë ne.