Lioni arriti ta ndalte Barcelonën në ndeshjen e parë të Champions League. Gjithçka u mbyll në barazim pa gola dhe francezët mendojnë për ndeshjen e kthimit. Sigurisht do të jetë një tjetër melodi në “Camp Noë”. Gjithsesi Lioni nuk do të dorëzohet pa luftuar, por një deklaratë e dhënë nga mbrojtësi Marcelo mund të zgjojë “bishën” përbrenda Lionel Mesit.
Qendërmbrojtësi brazilian ka deklaruar se ka qenë më e vështirë për të të markojë Kilian Mbape, se sa Lionel Mesin: “Lojtarët me të cilët jam përballur kohët e fundit janë të nivelit më të lartë. Përballja me Mbape këtë sezon më ka hapur shumë punë. Mesi nuk luajti shumë mirë ndaj nesh, kurse Mbape, me shpejtësinë e tij, pozicionimin, duelet e drejtpërdrejta me të, ishte më i vështirë për t’u markuar”.
Braziliani, i cili na karrierën e tij është aktivizuar me Santos, PSV, Hanover e Beshiktash, ka shumë besim se Mbape mund të bëhet më i miri në botë. Sigurisht do t’i duhet të përmirësojë disa gjëra që të krahasohet me Mesin e Ronaldon.
“Mendoj se ka shumë mundësi që së shpejti të bëhet më i miri në botë. Ka disa gjëra ku duhet të përmirësohet, në mënyrë që të krahasohet me Mesin e Kristiano Ronaldon. Gjithsesi ai po rritet shumë shpejt”, ka deklaruar Marcelo.